Rama: Me Lulëzimin - pa Lulëzimin, Kuvendi i ri do 'çlirojë' Vettingun

Aktuale April 20, 2017 - 23:25

Nëse PD-ja hyn në zgjedhje jashtë afateve që parashikon Kodi Zgjedhor, kryeministri Edi Rama hodhi sot idenë që Vettingu, të miratohej në seancën e parë të Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 18 qershorit. Kjo deklaratë u përkthye nga lideri demokrat Lulzim Basha si një dëshmi se kreu i qeverisë nuk e do reformën në drejtësi, dhe se vettingun po e shfrytëzon vetëm për të bërë pazare politike dhe për shantazh ndaj opozitës.

Kryeministri ka shkruar në mbrëmje në Facebook, ku sqaron deklaratën e bërë gjatë seancës së sotme plenare.

“Lulëzimi, paska dëgjuar sikur unë paskam ofruar sot në Kuvend kompromis për të shtyrë Vetingun! Në fakt e kundërta është vërtetë. Unë sot kam thënë që Vetingu për mua është kusht për çdo kompromis të mundshëm, për hyrjen jashtë afateve në zgjedhje të PD-së. Dhe kam shtuar se vetëm nëse të tjerët - nënkupto miqtë e partnerët tanë që e kanë Vetingun kusht për negocimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE - do të kërkonin fleksibilitet në emër të përfshirjes së PD në zgjedhje, atëherë e vetmja mundësi mund të ishte nëse PD do të pranonte ta votonte Vetingun, në seancën e parë të parlamentit të ri”, shkruan kryeministri në rrjetin social Facebook.

Megjithatë, Rama thotë se mazhoranca do të vazhdojë përpjekjet për të futur opozitën në zgjedhje derisa të shterojnë të gjitha mundësitë ligjore.

“Sidoqoftë s'ka asnjë problem! Ne do të vazhdojmë me bukë dhe Çadra e Frikës nga Drejtësia le të vazhdojë me gurë. Durimi ynë do të soset vetëm kur të soset kufiri i fundëm i mundësisë për të hyrë të gjithë në zgjedhje. Domethënë deri ditën dhe orën e paraqitjes së emrave të skuadrave, për betejën e 18 qershorit”, vijon ai.

Në përfundim, kreu i qeverisë flet edhe për skenarin e mundshëm të mosfutjes së opozitës në zgjedhje, dhe këmbëngul se në 18 qershor shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit, edhe pa PD-në në garën elektorale. Ndërsa sa i përket vettingut, Rama thekson se ky proces që bën verifikimin e pastërtisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, do të votohet nga Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 18 qershorit.

“Pastaj me Lulëzimin pa Lulëzimin, do ta bëjmë me mandatin e ri të popullit sovran, Vetingun dhe krejt rrugën e zbatimit të Reformës në Drejtësi. E nëse Lulëzimi dhe Çadra e Frikës nga drejtësia, mund ta vonojnë plotësimin e komisioneve të Vetingut dhe nisjen e punës së tyre, duke mos u paraqitur në punë deri në ditën e fundit të këtij kuvendi, dita e parë e Kuvendit të Ri do të shënojë edhe fundin e kësaj pengmarrjeje të turpshme të drejtësisë!”, shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook. /Gazeta Express/