Kosova para një jave ‘interesante’ politike

Aktuale April 25, 2017 - 17:43

Mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme në muajt e ardhshëm po bëhet gjithnjë e më e madhe, sidomos ditëve të fundit kur partnerët në koalicion janë duke i matur pulsin njëra- tjetrës me anë të deklaratave publike.

Një status në Facebook nga i pari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka nxitur dyshime se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të prishet koalicioni mes partisë së tij, LDK, dhe partnerit të madh, PDK.

“Rrugëdalja nuk është të ikim nga përgjegjësia, të bëhemi rob i sondazheve, sepse kur i kemi hyrë kësaj pune jemi marrë vesh ta çojmë deri në fund”, shprehej Mustafa në një deklaratë vikendin e kaluar.

Nga ana tjetër, edhe Kadri Veseli që tash e drejton PDK-në prej se Hashim Thaçi u zgjodh President i vendit në prill të vitit të kaluar, në disa deklarata të tij nuk ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve.

Veseli ka qenë më i qartë kur ka folur për pamundësinë e koalicionit qeveritar për të vendosur në çështje të mëdha.

Në këtë pikë, Veseli ka aluduar në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila që nga nënshkrimi i saj në gusht të vitit 2015 është duke pritur në sirtarë të qeverisë, meqë partnerët e koalicionit nuk janë të sigurt se do ta kenë mbështetjen e duhur prej 80 votave në Kuvend.

Përveç demarkacionit, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si dhe transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës janë çështje të cilat ky koalicion ka dështuar t’u gjejë zgjidhje deri më tani.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një deklaratë për KALLXO.com, paralajmëron një javë interesante të zhvillimeve politike.

“Është një javë interesante dhe ta shohim se si do të përfundojnë, do të ketë zhvillime interesante që përfshijnë demarkacionin”, tha ai.

Për ta diskutuar demarkacionin, shefi i Hazirit në parti, kryeministri Mustafa, aktualisht gjendet në Bruksel, siç është raportuar, në përpjekje për ta bindur Bashkimin Europian që ta pezullojë kushtin e vënë për ratifikim të demarkacionit në këmbim të liberalizimit të vizave për kosovarët.

Megjithatë, për Hazirin marrëveshja për demarkacion duhet të shkojë në Kuvend për t’u votuar meqë kjo, siç tha ai, është edhe kërkesë e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, për drejtuesit e koalicionit Veseli e Mustafa...(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në KALLXO.COM)