Jahjaga në Maltë: ISIS, Rusia dhe Turqia, kërcënim për BE-në dhe rajonin

Aktuale April 25, 2017 - 17:51

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbajtur fjalim në Tryezën e Rrumbullakët për Siguri në Evropë, që u mbajt në Maltë.

Në fjalën e saj, Jahjaga ka folur për kërcënimet që përballet BE-ja dhe rajoni nga ISIS, Rusia dhe Turqia. 

Po ashtu, ajo ka treguar edhe sfidat dhe luftën e Kosovës përballë terrorizmit, që sipas saj qoi në zero numrin e atyre që iu bashkuan ISIS-it, në dy vitet e fundit. 

Ky është fjalimi i plotë i Jahjagës: 

Është kënaqësi e jashtëzakonshme të jem këtu për të ndarë me ju pikëpamjet e mia mbi sfidat e sigurisë me të cilat po përballet rajoni.

Jam veçanërisht e kënaqur të shoh që pjesëmarrësit në këtë ngjarje janë kryesisht gra dhe pres të kemi një diskutim të frytshëm sot.

Kjo tryezë e rrumbullakët është një mundësi e shkëlqyer për përfaqësuesit e BE-së të pranishëm në këtë sallë për të paraqitur pikëpamjet e tyre dhe për të shkëmbyer përvojat mbi sfidat aktuale në fushën e sigurisë dhe mbi ndikimin e politikës së jashtme evropiane në politikat e mbrojtjes.

Por, është gjithashtu e rëndësishme që vendet që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian të përfshihen në këtë debat, sepse edhe ne jemi të ekspozuar ndaj të njëjtave sulme që kanë për qëllim të minojnë vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar BE-ja.

Fuqizimi i Shtetit Islamik, sulmet kibernetike, aktivizmi i ri i Rusisë, interesat e paqarta të Turiqisë në rajon, riprodhimi i armëve bërthamore, migrimet masive dhe ndryshimet klimatike janë vetëm disa nga çështjet që fiurojnë në listën e gjatë të kërcënimeve për sigurinë tonë.

Këto çështje kërkojnë veprim të bashkuar të BE-së dhe NATO-së dhe nuk mund të zgjidhen nëse vendet që janë të prekura nga ato lihen jashtë proceseve planifikuese për veprimet e ardhshme.

NATO dhe BE-ja kanë demonstruar përkushtimin e tyre për mbajtjen e një rajoni të sigurtë për dekada të tëra duke u dhënë fund luftërave në Bosnjë e Kosovë. 

Por, Bashkimi Evropian duhet ta forcojë rolin e tij në rajon, i cili është pjesë e rëndësishme e zgjidhjes për sigurinë dhe mbrojtjen e Evropës.

Agjendat nacionaliste dhe ekstremiste të disa forcave në Ballkanin Perëndimor po vëjnë në rrezik të gjithë përparmin që kemi arritur deri më sot. Andaj, na duhet një qasje gjithëpërfshirëse dhe e unifikuar e BE-së ndaj rajonit.

Ringjallja nacionaliste e Rusisë po ndikon mbi Serbinë- aleatin më të fuqishëm të saj në Ballkan-  duke prodhuar një luftë jo-lineare që po ripërtërin tensione në rajon. Kjo gjë është duke u shkaktuar shumë pasiguri fqinjëve të saj.

Sjellja dhe diskursi i Serbisë, qasja e saj ndaj fqinjëve, standardet e dyfishta që po përdor në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, si dhe mungesa e përkushtimit të saj për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani, janë duke penguar përpjekjet tona për të kthyer normalitet në rajon.

Përmirësimi i raporteve ndërmjet shteteve të rajonit, veçanërisht në mes të atyre që dikur ishin në luftë me njëri-tjetrin, duhet të bëhet përkushtim dhe kusht për anëtarësim në BE.

Por, fatkeqësisht ideja për, siç quhet, Evropën “multi-speed” e që duket se po bëhet realitet në rajonin e Ballkanit mund të dëmtojë tmerrsisht shumë vendet më të vogla si Kosova në periudhën afatgjatë.

Qëllimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në BE, por me lodhjen nga zgjerimi, dhe një mbështetje në rritje për një Evropë “multi-speed”, Brukseli rrezikon të bëjë hapa mbrapa.

Derisa mungon vizioni i qartë se çfarë duhet bërë me rajonin, sulme serioze po godasin kryeqytetet tona.

Gjatë muajve të kaluar ne u bëmë dëshmitarë të sulmeve terroriste që frikësuan njerëzit në Londër, Paris, dhe Stokholm dhe shkaktuan urrejtje dhe horror. Keqbërësit që kryejnë sulme të tilla përgatiten dhe organizohen në mënyrë transnacionale- të papenguar nga kufijtë.

Terrorizmi nuk njeh kufijë. Dhe, sikurse që janë tmerruar evropianet nga veprime të tilla, ashtu janë tmerruar edhe kosovarët, maqedonasit, shqiptarët, boshnjakët, malazezët dhe serbët.

Ballkani Perëndimor është konsumuesi kryesor i sigurisë së BE-së.

Tani, 30 vite që kur kemi përfituar nga angazhimi i jashtëzakonshëm në rajon, ne duhet të shihemi si diçka më shumë se një rast studimi; ne duhet të bëhemi pjesë e zgjidhjeve, veçanërisht në luftimin e të gjitha llojeve të ekstremizmit që po destabilizojnë rajonin dhe vende të tjera.

Këtu, dua ta theksoj përkushimin e Kosovës- veçanërisht atë të Policisë së Kosovës, për të luftuar kërcënimin që vjen nga kosovarët që kanë braktisur vendin për t’iu bashkuar luftërave të ISIS-it dhe organizatave të tjera. 

Ne e kemi marrë këtë kërcënim seriozisht dhe në partneritet me NATO-në dhe misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ne kemi goditur fuqishëm përpjekjet e terroristëve për të rekrutuar luftëtarë nga Kosova duke e reduktuar në zero numrin e tyre në dy vitet e fundit.

Por, ne duhet të përfshihemi më shumë në diskutimet për gjetjen e zgjidhjeve për kërcënime të tilla.

Ne duhet të harmonizojmë praktikat, rregulloret, dhe proceset në politikat tona të mbrojtjes për të vepruar në përputhje me Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje të BE-së, të cilën synojmë ta zbatojmë në të ardhmën.

BE-ja dhe rajoni po përballen me shumë sfida si mungesa e koherencës dhe unitetit politik, buxheti i kufizuar, mungesa e resurseve.

Por, ne nuk duhet të lejojmë që këto çështje të kompromitojnë ose minojnë progresin e madh që kemi arritur së bashku.

Image

Image

Image