Lekaj: Ekstradimi i Haradinajt në Serbi, destabilizon Kosovën dhe Ballkanin

Aktuale April 25, 2017 - 18:06

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se nëse Ramush Haradinaj ekstradohet në Serbia atëherë Kosova dhe Ballkani do të destabilizoheshin.

Ai i ka arsyetuar deklaratat e Daut Haradinajt për luftë, duke shtuar se nuk ka qenë paralajmërim por nxitje nga dikush që po synon destabilizim.

“Ekstradimi ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj në Serbi, nënkupton destabilizim të Kosovës e Ballkanit – Kjo nuk është në favor të asnjë komuniteti. Paralajmërimi i deputetit, Daut Haradinaj nuk ka qenë i drejtuar kundër asnjë komuniteti që jeton në Kosovë. Ai reagim ka qenë vetëm një paralajmërim se dikush po tenton me nxit diçka jo të mirë në Kosovë, përmes rastit të ish-Kryeministrit, Ramush Haradinaj në Francë”, ka shkruar Lekaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social "Facebook".

Lekaj ka kërkuar nga qytetarët serbë të Kosovës që të mos bien pre e lojërave të Serbisë.

Sipas tij, askush më shumë se lideri i AAK-së nuk është angazhuar që të integrohen komunitetet në Kosovë.

“Askush me shumë se Ramushi nuk është angazhuar që të integrohen komunitetet në jetën institucionale të Kosovës. Prandaj zërat dhe intrigat e tipit të “kallëzimit penal” siç paskan paralajmëruar disa “përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serbë” kundër deputetit, Daut Haradinaj nuk janë asgjë më shumë se tendencë e dikujt për t’i rikthyer në pikën zero të arriturat në procesin e integrimit të këtij komuniteti në Kosovë. Leni lojërat që nxisin urrejtje, e merruni me angazhime që e rregullojnë jetën e qytetarëve tuaj në Kosovë”, thuhet në postimin e Lekajt.