Basha: Kusht i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira, qeveria teknike

Aktuale April 25, 2017 - 22:12

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas dështimit të negociatave të qeverisë me opozitën, deklaroi se “kusht i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira e të ndershme, mbetet qeveria teknike”, duke shtuar se “javën e ardhshme nis përshkallëzimi i mosbindjes civile anë e mbanë Shqipërisë, për t’i treguar Edi Ramës se koha kur në vend bëheshin votime dhe jo zgjedhje, ka marrë fund”.

“Përpjekja e negociatorëve nuk pati sukses, pasi Rama refuzon qeverinë teknike. Qeveria teknike është zgjidhja e vetme për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit. Nuk mund të pranohet që njeriu që e ktheu Shqipërinë në Kolumbinë e Europës do të jetë përgjigja për problemet. Ndaj, kushti i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira e të ndershme mbetet qeveria teknike”, tha Basha.

Kreu i PD-së shtoi se partia e tij “angazhohet solemnisht para shqiptarëve që me një qeveri teknike të zbatohet ligji për dekriminalizmin, të luftohet droga dhe të nisë zbatimi pa vonesë i vetting-ut, sipas marrëveshjes politike të 21 korrikut”.

“Edi Rama nuk do as zgjedhje të lira e as vetting të vërtetë sepse i trembet demokracisë dhe drejtësisë së vërtetë”, tha Basha.

Në fund, kreu i PD-së lajmëroi se “javën e ardhshme nis përshkallëzimi i mosbindjes civile anë e mbanë Shqipërisë, për t’i treguar Edi Ramës se koha kur në vend bëheshin votime dhe jo zgjedhje, ka marrë fund.

“Nuk do të ketë më kurrë pushtet pa opozitë”, theksoi Basha.