Legjislatura më e dobët që nga paslufta

Aktuale April 25, 2017 - 22:53

Monitoruesit e Kuvendit të Kosovës e kanë vlerësuar këtë legjislaturë si më të dobëtën që e ka pasur Kosova ndonjëherë, e cila ka dështuar që t’i kalojë shumë ligje dhe të stagnojë në mbarëvajtjen e saj

Legjislatura aktuale, e pesta me radhë pas përfundimit të luftës, po vlerësohet si më e dobëta gjatë këtyre viteve. Karakteristikat e kësaj legjislature mbeten tymi e gazi, duke lënë nën hije ligje të miratuara e seanca produktive të mbajtura. Gjatë kësaj kohe Kuvendi i Kosovës nuk ia ka dalë as për së afërmi ta përmbushë agjendën legjislative.

Kështu vlerësojnë të paktën monitorues të punës së Kuvendit, analistë politikë, madje edhe vetë deputetë. Sipas tyre, mungesa e kuorumit e gjuha e vrazhdë kanë qenë vazhdimisht prezentë qoftë në seanca plenare ashtu edhe në mbledhje të komisioneve.

Në llupën e vërejtjeve është vënë edhe vetë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili në kohën e fundit, sipas analistëve, më shumë ka treguar përkushtim për turneun e tij dëgjimor sesa për obligimet si kryesues i institutit legjislativ.

Artan Murati nga Institutit Demokratik i Kosovës (KDI), Institut ky që monitoron Kuvendin, vlerëson se legjislatura e pestë ka pasur perfomancë të ulët që nga startimi i saj. “Që nga fillimi i punës së saj legjislatura e 5-të është përballur me shumë vështirësi dhe me efikasitet të ulët të punës”, ka thënë Murati.

Sipas tij, ka pasur shumë hendeqe në këtë legjislaturë. “Gjatë kësaj periudhe kjo legjislaturë ka miratuar dhe ka monitoruar shumë pak ligje, mungesa e kuorumit ka qenë vazhdimisht prezente qoftë në seanca plenare, ashtu edhe në mbledhje të komisioneve, gjuha parlamentare ka qenë e vrazhdët dhe mbikëqyrja e punës së ekzekutivit e ulët”, ka thënë Murati. Duke cekur se edhe deputetët nuk kanë qenë të angazhuar në kryerjen e misionit të tyre.

“Deputetët i kanë përdorur fare pak mekanizmat që i kanë në dispozicion për ta realizuar punën e tyre ashtu siç duhet. Ajo çfarë më së shumti bie në sy është mosefikasiteti për të vendosur për çështjet më të debatuara në vend, siç janë Asociacioni dhe Demarkacioni”, ka thënë Murati.

Më tej ai cek se të zgjedhurit e popullit duhen të i qasen më me seriozitet votës së popullit. “Në përgjithësi konsideroj që angazhimi i deputetëve nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe se qytetarët presin qasje shumë më serioze nga të zgjedhurit e tyre”, ka përfunduar ai.

Selmanaj: Kjo legjislaturë ka dëshmuar se është e pazonja

Driton Selmanaj nga “Demokracia Plus” vlerëson se legjislatura e tanishme ka dështuar ta kryejë mandatin e saj konform normave kushtetuese.

“Kuvendi i Kosovës ka dështuar jo vetëm në këtë legjislaturë. Ata kanë dështuar për ta kryer mandatin e vet kushtetues që e kanë qoftë në miratimin e ligjeve, qoftë në kontrollin e Qeverisë, qoftë në përfaqësimin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas Selmanajt, kjo legjislaturë ka vazhduar qasjen joproduktive të Kuvendit të Kosovës.“Ka dëshmuar se është e pazonja, e paaftë dhe e painteresuar që t’u japin përgjigje edhe tematikave të vogla, se lëre më temave të mëdha. D.m.th, çdo ditë rrezikohet me mungesë kuorumi e me jofunksionalitet”, ka shtuar më tej ai.

Më tej, Selmanaj thekson se as deputetët nuk po qëndrojnë korrektë karshi postit të tyre. “Kjo pasi deputetët nuk po arrijnë ta kuptojnë që mandati i deputetit është i një rëndësie të veçantë. Ata vetëm po i gëzojnë privilegjet që i sjellë posti i deputetit, por asnjëherë si një përgjegjësi për ta kryer mandatin e vet, për t’i përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar”, ka përfunduar Selmanaj.

Haxhiu: Kuvendi ka kohë që e ka humbur legjitimitetin

Ndërsa deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, mendon se Kuvendit ka kohë që i ka humbur legjitimiteti.

“Ka kohë që Kuvendit i ka humbur legjitimiteti. Problemet me këtë Kuvend kanë nisur qysh në fillim, kur me ndihmën e LDK-së dhe në krye të Kuvendit u vendos një njeri si Kadri Veseli, me të kaluar kriminale”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Qeveria e ka shndërruar Kuvendin në organ të saj për interesa të veta.

“Në anën tjetër, kemi një Qeveri e cila ka harruar që Kosova është Republikë parlamentare dhe e ka shndërruar Kuvendin si një organ të saj i cili vepron jo për interesa të qytetarëve, por për interesa të tyre”, ka thënë Haxhiu duke cekur se subjekti i saj ka qenë më aktivi gjatë kësaj legjislature.

“Thjesht nuk mund të paramendohet një Kuvend pa Grupin Parlamentar të lëvizjes ‘Vetëvendosje’, që edhe përkundër rrethanave ka qenë subjekti më aktiv dhe më përfaqësues”, ka  përfunduar ajo.

Edhe deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, e vlerëson si të dobët punën e kësaj legjislature. “Unë mendoj se Kuvendi s’ka arritur ta realizoj planin legjislativ, por as nuk ka mundur ta shtrijë rolin në mbikëqyrjen e Qeverisë”, ka potencuar Kadriaj.

Sipas saj, Qeveria e ka neglizhuar Kuvendin dhe vendimet e tij.

“Ka shume rezoluta të votuara në Kuvend e që janë obligative për implementim nga qeveri tjera që nuk kanë ndodhur”, ka shtuar Kadriaj, derisa ka theksuar se një numër i madh i seancave nuk kanë arritur të kryhen për shkak të mungesës së kuorumit.

“Edhe pse kemi një koalicion të elefantëve, seancat nuk arrijnë të përfundohen për shkak të mungesës së deputetëve”, ka përfunduar Kadriaj.

Analistët: Shumica e deputetëve janë treguar të papërgjegjshëm

Që kjo legjislaturë ka qenë e dobët mendon edhe analisti politik Imer Mushkolaj. “Kuvendi i Kosovës nuk ia ka dalë as për së afërmi ta përmbushë agjendën legjislative”, ka thënë ai.

Ndryshe, Mushkolaj mendon se Kuvendi ka qenë në plan të dytë edhe nga kryetari i Kuvendit.

“Kryetari, sidomos muajt e fundit, më tepër është marrë me çështje partiake dhe me fushatë parazgjedhore sesa me punë Kuvendi. Po ashtu edhe shumica e deputetëve janë treguar të papërgjegjshëm karshi obligimeve ndaj qytetarëve”, ka theksuar ai.

Kurse njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, vlerëson se Kuvendi është treguar i ngathët në kryerjen e obligimeve. “Përgjithësisht ka qenë Kuvend i ngathët. Këtu natyrisht se ka ndikuar shumë edhe qasja sabotuese e opozitës, e cila mund të themi se ka arritur ta çorientojë koalicionin”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, koalicioni qeverisës ka pasur reflektim në punën e legjislativit. “Puna e Parlamentit është reflektim i funksionimit të koalicionit, i cili përkundër faktit se është koalicion i madh nuk ka funksionuar me agjendë të qartë politike dhe ka qenë mjaft pasiv”, ka përfunduar Maliqi.