Gazetari shqiptar nga Maqedonia: Me sytë e mi pashë gjithë terrorizmin në kuvend

Aktuale April 28, 2017 - 15:16

I ngujuar katër orë brenda dyerve të mbyllura të kuvendit të Maqedonisë, në krye të detyrës në mes të situatës së tensionuar, ku deri në përgjakje u lënduan deputetë, liderë partish e gazetarë, kryeredaktori i Gazetës "Lajm", Xhenis Sulimani, i cili kishte shkuar të raportonte, rrëfen për "Zërin" momentet e "terrorit", që bashkë me kolegët e tjerë përjetuan ditën e djeshme.

Gjatë kësaj bisede të shkurtër, Sulimani tregon se si kishte arritur të strehohej, në çastet kur siç thotë ai, njeriu kishte arritur nivelin e bishës. E tërë kjo, vetëm pasi kryetar i kuvendit në Maqedoni, me shumicë votash u zgjodh deputeti shqiptar, Talat Xhaferi.

"Me sy të mi pashë gjithë terrorizmin e ushtruar në Kuvend, fatmirësisht kam shpëtuar pa lëndime. Bashkë me kolegët kemi arritur të strehohemi nga njëra prej zyrave në Kuvend. Terroristët kanë demoluar gjithçka", u shpreh ai gjatë bisedës.

Ai më tej, tregon se gjatë ditës së djeshme, situata kishte shkuar deri në atë masë, saqë njeriu më nuk ishte njeri. Përkundrazi, siç Sulimani thotë, ai kishte arritur nivelin e bishës.

"Dje kam parë se njeriu mund ta arrijë nivelin e bishës së egër. Pas 4 orëve njësiti special ka arritur që të na nxjerrë nga Kuvendi", tregon tutje ai.

Gazetari shqiptar nga Maqedonia, gjatë këtij rrëfimi, konsideron se siguria dje kishte humbur betejën karshi personave që hynë në kuvend dhe shkatërruan çdo gjë e sulmuan kë gjetën përpara.

"Ajo që ndodhi dje në Kuvend është terrorizëm, është sulmuar shtëpia ligjvënëse, përfaqësuesit e popullit dhe gazetarët. Për një moment turma e popullit mori në dorë gjithçka, duke e mposhtur totalisht sistemin e sigurisë në vend. Paramendoni siguria humbi betejën me huliganët, me ç’rast pati pësime të mëdha", tregon më tej ai.

Por pavarësisht këtyre,  ai shprehet optimist se në Maqedoni do të ndodhë ndryshimi.

"Mendoj se po vjen një erë e re, pozitive në Maqedoni. Dhe, përfundimisht, ‘demoni’ do të zëvendësohet me ‘demosin’, për të ardhur në shprehje demokracia e vërtetë", potencon ai, gjersa shton se e gjithë bota e ka parë se kush në realitet është terrorist, e kush jo.

"Nuk pres eskalim të mëtutjeshëm. Jo vetëm qytetarët e Maqedonisë, por gjithë bota e pa dje që kush është terrorist dhe se të njëjtit duhet të dënohen", nënvizon Sulimani./Zëri