Kur do të procedohet demarkacioni? Mustafa e Veseli në telashe serioze

Aktuale May 09, 2017 - 20:58

Seanca për mocionin e opozitës ku do të votohet rrëzimi i Qeverisë është paraparë të mbahet nesër në ora 10:00. Por Veseli pas një telefonate me amerikanin Hoyt Yee insiston se demarkacioni duhet të nxirret për votim para mocionit. Ai madje u ka thënë deputetëve që nesër të shkojnë në ora 8:00 të mëngjesit në Kuvend. Partnerët qeverisës PDK e LDK tani kanë telashe serioze.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, që njëherit drejton edhe LDK’në, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që udhëheq PDK’në, janë në telashe të mëdha.

Asnjëri nuk e ka të qartë ende se çfarë do të bëhet me Demarkacionin dhe si do të ecën puna me mocionin e Opozitës. Të dy këto çështje pritet të procedohen nesër ne Kuvendin e Kosovës.

Veseli pak orë më parë ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Siç është bërë me dije përmes një njoftimi për media, Veseli ka premtuar se Demarkacioni do të shkojë në Kuvend para mocionit.

"Gjatë kësaj bisede telefonike, kryetari Veseli ka diskutuar me diplomatin amerikan për mungesën e vendimeve të rëndësishme të cilat është dashur të merren deri tani në koordinim me miqtë ndërkombëtarë, siç janë ngecjet në reformat ekonomike, ngecjet në riformatimin e qeverisë dhe kryerja e obligimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova si shtet i pavarur e sovran", thuhet në njoftim.

Kurse Mustafa, në një intervistë për RTK, ka thënë se në asnjë mënyrë LDK nuk pajtohet që në muajin qershor vendi të shkojë në zgjedhje të përgjithshme.

Për më tepër, Mustafa shprehet se pret respektim të marrëveshjes se koalicionit nga ana e PDK'së.

Thotë se nuk pret përkrahje të mocionit të opozitës nga na e PDK’së duke u bazuar në marrëveshjen e koalicionit.

“Ne nuk pajtohemi që të shkohet në zgjedhje në muajin qershor, nuk pajtohemi gjithashtu që zgjedhjet të mbahen në kohën e ramazanit, ne e kemi një komunitet të madh myslimanë i cili agjëron dhe të cilin ne s’mund ta thërrasim që të dalë në fushatë, ose ejani në kohën e agjërimit edhe votoni. S’kemi nevojë të ngutemi”, ka thënë Mustafa për televizionin publik.

E gjatë ditës së sotme, deputetë të LDK-së, të afërt me Mustafën, kanë deklaruar se aktualisht u mungojnë vetëm dy vota për Demarkacionin.

LDK, në komunikatat e fundit që ka lëshuar për demarkacionin, ka thënë se nuk i frikësohet vendimmarrjes, është thirrur në deklarimet e amerikanëve që kanë bërë thirrje për votimin e demarkacionit, por në asnjë njoftim nuk ka thënë se i kanë votat për demarkacion.

Në anën tjetër, partia e Veselit ka paralajmëruar se do të mbajë takime me strukturat e partisë, që në orët e hershme të mëngjesit.

Siç mësohet, në orën 8:00 pritet të nisë takimi i Këshillit të PDK-së, ndërsa një orë më vonë takohen deputetët dhe grupi parlamentar i PDK-së.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në orën 10 do të zhvillohet seanca e jashtëzakonshme për mocionin për mosbesim të qeverisë, të propozuar nga Nisma, AAK dhe Vetëvendosje. /Gazeta Express/