Hoti: Për katër vite qeverisje do ta bëjmë buxhetin 5 miliardë euro

Aktuale May 28, 2017 - 14:05

 

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e Pejës ka thënë se do ta bëjë buxhetin e Kosovës 5 miliardë euro dhe në këtë mënyrë do t’i financojë nevojat e qytetarëve për vende pune, arsim e shëndetësi më të mirë dhe perspektivë për të ardhmen.

“E kemi gjet një buxhet 1.2 miliardë euro. Sot e kemi dy miliardë. Kur kam propozuar buxhetin dy miliardë euro për 2017 jam kritikuar shumë se nuk mund t’ia arrini. Sot atë buxhet e kemi realitet. Ne i kemi shtuar të ardhurat, jo nëpërmes gjobave, por nëpërmes bashkëpunimit me biznese të cilëve ua kemi ulur 50 milionë euro taksa”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

Ai ka shtuar se për dy vite kanë mbledhur 400 milionë euro më shumë taksa, sepse me politikat e tyre sipas tij, kanë gjeneruar dy miliardë më shumë qarkullim tek bizneset dhe janë hapur së paku 40 mijë vende të reja të punës.

“Tash po përgatitemi për një buxhet 3 miliardë euro dhe ju garantojë deri në fund të mandatit katërvjeçar buxheti do të mbërrijë në 5 miliardë euro dhe në këtë mënyrë do të kemi mundësi të financojmë të gjitha projektet e mundshme për rininë, fushën e arsimit, shëndetësi dhe fushat e tjera”.

Kandidati për kryeministër ka thënë se do të ndryshojë kursin politik që institucionet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të politikanëve.

“Do ta kemi qeverinë më të mirë që ka Kosova. Do të merremi me temat më të ndjeshme siç janë demarkacioni, liberalizimi i vizave, krijimi i ushtrisë, dialogu, rendi dhe ligji, drejtësia, zgjidhja e probleme në shëndetësi, në arsim, në standardin jetësor të popullatës etj”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se lista e LDK-AKR-Alternativa është më e përgatitura me 30 doktorë të shkencave dhe 46 kandidatë me gradën magjistër.