Khalilzad: Presidentit Bush i thashë se pavarësia e Kosovës s’ka alternativë

Aktuale June 26, 2017 - 21:56

Ish-ambasadori amerikan në OKB, që mbështeti pavarësinë e Kosovës në organizmin më të lartë ndërkombëtar, Zalmay Khalilzad, ka folur për rolin që ka pasur në procesin e pavarësimit të Kosovës.

Para se të vinte më 2007, për herën e parë, Khalilzad ka thënë se nuk ka ditur shumë për Kosovën.

Khalilzad ka folur edhe për një iniciativë të ambasadorit rus në OKB atë botë, Vitaly Churkin.

“Ishte një iniciativë e ambasadorit Churkin, i cili kërkonte që një mision faktmbledhës të vijë në Kosovë duke besuar se ai do t’i ndryshonte pikëpamjet e disa anëtarëve sidomos nga shtetet e botës së zhvilluar”, ka thënë ai për Klan Kosova.

“Kur erdha këtu u bë i qartë kompleksiteti i Kosovës, isha i impresionuar nga kompozicioni që ishin të vetëdijshëm për komunitetin serb, egjiptian e të tjerët”, ka vazhduar Khalilzad.

Ai ka shpjeguar se të gjitha grupet që i ka takuar e nxitnin atë dhe luteshin për pavarësinë e shtetit të Kosovës.

“Një përqindje e madhe ishte në favorin e saj”, ka thënë ai.

“Pas vizitës time u binda se pavarësia ishte zgjidhja e vetme për Kosovën dhe mendoj që kjo ka qenë një kundërefekt i iniciativës së Rusisë”, ka vazhduar Khalilzad.

Më tej ai ka folur edhe për takimet që ka zhvilluar me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, George Ë. Bush si dhe sekretaren e shtetit Condoleezza Rice, ku ju ka thënë se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur.

“Isha angazhuar në vendet e zonës së luftës dhe kisha zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin Bush”, ka thënë Khalilzad.

“Dhe presidentit Bush i shpjegova se në Kosovë, nuk kishte alternativë tjetër përveç se një Kosove të pavarur”, ka shtuar ai.

"Jam takuar me sekretaren e shtetit Rice e cila kishte marrëdhënie të mira me presidentin”, ka treguar Khalilzad.

Pavarësimin e Kosovës, Khalilzad ka thënë se e kishte marrë si përgjegjësi në ditën e parë të punës si ambasador.

“Kam marrë përgjegjësitë e mia si ambasador i SHBA-ve në ditën kur kam udhëtuar për në Kosovë, e kisha marrë detyrën atë ditë”, ka deklaruar ai.

Khalilzad ka treguar se cilat pozita diplomatike ka mbajtur gjatë jetës.

“Kam shërbyer si ambasador i SHBA-ve në Afganistan dhe kam punuar edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo e përmbyll biografinë time”, ka thënë ai.

“I vlerësoj të gjithë ata që kanë punuar me mua në Irak dhe në Lindje të Mesme”, është shprehur Khalilzad.