'Zharku të japë dorëheqje nga çdo funksion nëse ka ngushëlluar familjen e Lavdrim Muhaxherit'

Aktuale June 30, 2017 - 22:14

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka kërkuar dorëheqjen nga çdo funksion publik të ministrit në detyrë Lutfi Zharku, nëse vërtetohet se ai ka shkuar për të ngushëlluar familjen e Lavdrim Muhaxhirit.

Ai ka thënë se të vërtetën rreth këtij pretendimi duhet të dalë ta thotë vetë Zharku. Ka thënë se qartësi duhet të japë edhe Qeveria në detyrë.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Ramadanit në profilin e tij në Facebook:

Një mirënjohje për reagimin e BIK-ut.

Një kërkese për Qeverinë në detyrë dhe Ministrin e saj!

Njerëz, kjo nuk është lojë fëmijësh!

Po bëhet fjalë për sinonimin e terrorizmit global, Lavdrim Muhaxherin, që është filmuar me krenari duke prerë koka dhe duke vrarë njerëz.

Vendimi i BIK-ut për shkarkimin e Kryetarit të Bashkësisë Islame në Kaçanik, një vendim meritor pas sjelljes krejtësisht të gabueshme e të pakuptueshme pas lajmit për vrasjen e terroristit, Lavdrim Muhaxheri.

Por, ka diçka më shumë në këtë situatë!

Tash, çka duhet të ndodhë me ministrin e Qeverisë në detyrë që shkoi për ngushëllime për atë terrorist, i cili filmohej duke vrarë e duke prerë njerëz?

Qeveria në detyrë e ka fjalën! Duhet qartësuar çka dhe ku e si!

Ministri i përfolur për këtë, Lutfi Zharku, duhet të dalë urgjentisht dhe të tregojë vet! Nëse ka shkuar për të shprehur ngushëllime për Lavdrimin, menjëherë duhet dhënë dorëheqje nga funksionet publike.

Sjelljet e tilla të gabueshme dëshmojnë për nevojën e rritjes së dialogut nacional për temën konkrete se çka dhe si do të sillen institucionet dhe komuniteti me terroristët e tillë? Me ata që hapur kryejnë krime ndaj njerëzve jashtë Kosovës dhe po ashtu hapur kërcënojnë Kosovën?