'Shqipëria që duam' platformë e Ramës për bashkëqeverisje me qytetarët

Aktuale June 30, 2017 - 22:58

Mbi 6 mijë komente janë bërë në një postim në rrjetin social Facebook të kryeministrit Edi Rama, përmes së cilit ai u kërkonte qytetarëve të parashtronin gjërat që do të donin të ndryshonin në vend gjatë mandatit të dytë të qeverisës.

Duke vlerësuar angazhimin e tyre si mjaft të rëndësishëm, Rama bëri të ditur se janë shqyrtuar dhe janë analizuar të dhënat kryesore të këtyre komenteve nga një grup i posaçëm pune.

“Sapo kemi përfunduar një diskutim paraprak mbi të dhënat kryesore që skuadra e shënimeve, ka marrë prej tyre. Janë të dhëna shumë të vlefshme, për të nxjerrë përmes instrumenteve analitikë e statistikorë, jo thjesht opinionet e sugjerimet mbizotëruese, po edhe ndjesitë e brendshme, emocionet tuaja pozitive e negative. Të cilat janë shumë të nevojshme për t’i dhënë qeverisjes së re, pulsin e njerëzve të zakonshëm. Edhe njëherë faleminderit”, shkruan Rama në Facebook, përcjell atsh.

Ndërkohë, kryeministri thotë se paralelisht është punuar për piketat e reflektimit të thellë që do të nisim nga e hëna, mbi mandatin 2013 – 2017 dhe mësimet e tij, në tre plane: në planin e jetës parlamentare, të funksionimit të qeverisjes e të organizimit dhe aktivitetit të partisë.

“Gjithashtu, duke e parë me entuziazëm volumin e reagimit tuaj surprizues për postimin e djeshëm, porosita fillimin e punës për ndërtimin e një strukture digjitale të bashkëqeverisjes me ju”, shprehet Rama.

Ideja shumë fillestare për këtë, sipas Kryeministrit, është krijimi i një platforme të hapur komunikimi e ndërveprimi, “Shqipëria që duam”. E cila, vijon Kryeministri Rama, do të shërbejë për t’ju dëgjuar në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës, për të diskutuar reforma e masa të rëndësishme dhe mundësuar ndikimin e qytetarëve mbi politikat qeverisëse në çdo sektor e mbi punën e çdo ministrie apo institucioni të varësisë.

Po ashtu sipas Kryeministrit, kjo platformë do të shërbejë për të luftuar së bashku korrupsionin, evidentuar tepsixhinjtë apo parazitët e çdo niveli, duke i goditur me zero tolerancë e nxitur zgjidhjen e ndershme të problemeve komunitare apo vetjake të kujtdo prej jush.

“Dua që qeveria e re të jetë një koalicion real me njerëzit e zakonshëm dhe së bashku të rrëzojmë sa të mundim, muret qorre e shurdhe të godinave të shtetit, ndaj jush. Nga bulevardi i Tiranës deri në çdo pikë të vendit, ata që paguhen prej jush për të bërë punën e shtetit për ju, ose duhet të punojnë siç e do puna, ose pastaj duhet të kenë punë me ne”, siguron kryeministri.

E di mirë besomëni, shprehet kryeministri Rama, se sa i madh është ky det i tërë nga e thëna në të bërë, por e di po ashtu se nëse nuk më lini vetëm, s’ka det që nuk e kapërcejmë dot së bashku.