Nuk dihet nëse Veseli do të jetë kandidat për kryetar Kuvendi (Video)

Aktuale July 03, 2017 - 21:32

Ndërkohë, koalicioni PAN ende nuk ka diskutuar se kë do të nominojë për kryetar të Kuvendit.

Zyrtarë të kabinetit të Kadri Veselit i kanë thënë RTK-së se nuk është e sigurt nëse ai do të jetë kandidat për këtë post.

As Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa nuk janë deklaruar nëse do të votojnë kandidatin që do të propozojë koalicioni PAN për kryeparlamentar.

Ndërkohë, koalicioni PAN ende nuk ka diskutuar se kë do të nominojë për kryetar të Kuvendit.

Zyrtarë të kabinetit të Kadri Veselit i kanë thënë RTK-së se nuk është e sigurt nëse ai do të jetë kandidat për këtë post.

As Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa nuk janë deklaruar nëse do të votojnë kandidatin që do të propozojë koalicioni PAN për kryeparlamentar.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA ende nuk ka vendosur se kë do ta nominojë për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Me marrëveshjen politike të arritur mes këtyre subjekteve tashmë është e specifikuar se kjo pozitë i takon Partisë Demokratike të Kosovës e cila mandatin e kryeministrit dhe formimit të Qeverisë ia ka besuar partnerit të koalicionit, kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse kreu i PDK-së, Kadri Veseli, do të kandidojë sërish për kryetar të Kuvendit. Zyrtarë nga kabineti i këtij të fundit i kanë thënë RTK-së përmes telefonit se ende nuk është e sigurt nëse Veseli do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit. Madje sipas tyre, kjo çështje deri tash nuk është diskutuar as në strukturat e partisë.

Ndërkohë që duke e pasur parasysh verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 e ku specifikohet se pozita e kryeparlamentarit i takonit partisë më të madhe apo  koalicionit më të madh të dalë nga zgjedhjet, dy subjektet tjera,

Vetëvendosje dhe koalicioni LDK AKR Alternativa ende nuk janë deklaruar nëse do të votojnë kandidatin që do të propozojë koalicioni PAN për kryeparlamentar.

"Ne akoma nuk e kemi diskutuar dhe nuk kemi marr vendim për një gjë të tillë...", thotë Sami Kurteshi, nga Vetëvendosje

Ndërsa zyrtarë të koalicionit LDK-AKR-Alternativa nuk kanë folur nëse kanë marrë vendim për sa i përket votimit të kryeparlamentarit.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës pritet të konstituohet në afat prej 30 ditësh nga dita kur KQZ do të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve.

Kryeparlamentari duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota të deputetëve.

Ndërsa koalicioni PAN së bashku edhe me votat e pakicave, arrin numrin 59 deputetë. Por, zgjedhja e kryeparlamentarit nuk shihet si ndonjë problem i madh nga KDI, organizatë kjo që e monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.

"Partia apo koalicioni fitues nuk e kanë te kufizuar se sa here mund te propozojnë emra për kryeparlamentar. Madje edhe nëse nuk votohet njeri emër nuk shpërndahet kuvendi por partia apo koalicioni fitues mund te propozojnë emra të tjerë", thotë Artan Murati, nga KDI

Në gjithë këtë proces, nga monitoruesit e KDI-së, sfidë shihet formimi i Qeverisë duke qenë se tashmë 3 blloqet politike në bazë të rezultateve të tyre nuk kanë numrat e domosdoshëm për krijimin e Qeverisë.