Sami Lushtaku flet për burgun dhe lirinë (VIDEO)

Aktuale July 03, 2017 - 22:21

Ish komandanti i Zonës Operative të Drenicës i UÇK-së, Sami Lushtaku, tha sonte se dënimi i tij ka qenë “i padrejtë” ndërsa qëndrimin në burg e vlerësoi si “të rëndë”.

“Burgosja ime ka qenë e padrejtë dhe nuk ka qenë i lehtë qëndrimi në burg për arsye se veprimet tona kanë qenë të drejta”, tha ai duke shprehur bindjen në pafajësinë e tij.

Lushtaku foli për KALLXO.com pak momente pasi mbajti një fjalim në sheshin kryesor të Skenderajt para masës së qytetarëve që kishin dalë ta përshëndesin atë, pak orë pasi Gjykata Supreme e shfajësoi atë nga akuzat me të cilat Gjykata Themelore në Mitrovicë në vitin 2015 e dënoi me 12 vjet burg ndërsa vitin e kaluar, Gjykata e Apelit e shkurtoi këtë dënim në 7 vjet.

Ai qe dënuar pasi një kolegj i gjykatësve ndërkombëtarë e gjeti atë fajtor për një vrasje të vitit 1998 edhe pse nuk dihej emri i personit të vrarë.

“Ne kemi kërku edhe në gjykatë drejtësi, argumente dhe fakte. Asnjëherë nuk i kemi ikë drejtësisë dhe nuk e kemi ndërmend t’i ikim drejtësisë”, tha ai.

“Ne tjetër vend nuk kemi, e kemi vetëm Kosovën prandaj vazhdojmë ta dojmë dhe ta respektojmë këtë vend po gjithsesi kemi me respektu edhe drejtësinë pavarsisht çfarë është ajo”, shtoi Lushtaku.

Aktualisht, Sami Lushtaku është kryetar i komunës së Skenderajt.

Pavarësisht mungesës së gjatë në vendin e punës, komuna nuk e ka zëvendësuar atë duke u drejtuar tërë kohën nga nënkryetari.

Lushtaku nuk specifikoi sonte nëse e ka ndërmend të kthehet në zyrë as nëse do të kthehet në politikë për të garuar sërish për kryetar të komunës në zgjedhjet e vjeshtës së këtij viti.

“Njëherë e kam mendjen me u çlodhë e me pushu, masandej e shikojmë”, tha ai.