Pacolli padit Kosovën në Arbitrazh për hotelin ‘Grand’ (DOKUMENT)

Aktuale July 24, 2017 - 22:51

Qeveria e Kosovës do të ketë edhe një betejë tjetër në Gjykatën e Arbitrazhit. Pasi humbi betejën me Z Mobile dhe është në një tjetër betejë me kompaninë AXOS, institucionet ekzekutive të vendit do të përballen edhe me një padi tjetër.

Hiq më pak sesa biznesmeni Behxhet Pacolli dhe kompania e tij “MabCo Sontructions” ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë.

Lajmin e ka marrë vesh Insajderi përmes burimeve të saja ndërsa vet Gjykata e Arbitrazhit e njohur me emrin zyrtar si Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve e ka publikuar këtë informacion në faqen e Bankës Botërore.

Përmes këtij publikimi, Arbitrazhi ka treguar se e ka pranuar lëndën e kompanisë në pronësi të Pacollit me datën 21 korrik.

Në këtë informacion thuhet se subjekti i mosmarrëveshjes është “blerja e aksioneve” dhe hyn tek sektori i turizmit, sipas të dhënave të publikuara nga Arbitrazhi.

Padia e kompanisë në pronësi të Pacollit ka të bëjë me rastin e Hotel Grandit të cilin Pacolli e kishte blerë e më pas i ishte anuluar ky privatizim. Kjo temë ka qenë një ndër më të komentuarat në vitet e fundit në Kosovë, sa i përket skandaleve të privatizimit në vend.

Pranimi i lëndës në Gjyktën e Arbitrazhit është hapi i parë që padia të ecë tutje megjithatë kjo nuk do të thotë asgjë për vendimet që kjo gjykatë mund të marrë.

Insajderi ka marrë vesh se kompanisë së Pacollit i shtë kërkuar që brenda 10 ditëve të dërgojë materialet përcjellëse./Insajderi.com/

Image