Ahmeti: Vrasja e Aulon Zekes të zbardhet sa më shpejtë

Aktuale September 18, 2017 - 19:10

I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të zbardhet sa më shpejt rasti i vdekjes së Aulon Zekes.

Sipas tij, siguria kontrolli i armëve dhe arsimi duhet të jenë prioritet për secilën parti, komunë e qeveri.

Shkrimi i plotë i Ahmetit:

Vrasja e të riut Aulon Zeka ka tronditur jo vetëm familjen por edhe gjithë opinionin në Kosovë.

Vrasjet për motive të ulta janë gjithmonë të rënda por mosha e Aulonit dhe të dyshuarve e bëjnë rastin edhe më të rëndë.

Gjatë këtyre dy ditëve kam pas rastin të informohem edhe nga Policia edhe nga familja për detajet.

Shpresoj që organet e rendit të zbardhin sa më shpejtë rastin në mënyrë që dorasit të vihen para drejtësisë.

Siguria, kontrolli i armëve dhe arsimi duhet të jenë prioritet për secilën parti, komunë e qeveri në Republikën e Kosovës.

Para disa viteve, e tërë një shoqëri u mobilizua për ta ndihmuar Aulonin në vështirësitë shëndetësore që kishte, ndërsa sot mbetemi të tronditur nga vrasja makabre e 16 vjeçarit të ndjerë.

Edhe njëherë familjes i shprehim ngushëllime për humbjen e madhe që po përjetojnë, e Aulonit i lehtë i qoftë dheu.

Shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten asnjëherë e askund në Kosovë.