Hoxhaj: Zërat për Rikallon, shqetësues

Aktuale September 18, 2017 - 19:53

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur për emërimin e Nenad Rikallos në krye të Ministrisë së Bujqësisë, si dhe dyshimet për të kaluarën e tij.

Hoxhaj ka thënë, në një intervistë për Telegrafin, se nuk dëshiron të japë vlerësim lidhur me të kaluarën e ministrit serb, pasi nuk ka informata të plota.

“Unë nuk dua të jap vlerësim meqenëse nuk kam informata të plota. Por ajo çfarë kam lexuar në media është shqetësuese… Por kjo është temë që i takon prokurorisë. Prokuroria do të duhej ta shoh rolin e tij në të kaluarën dhe nuk dua të jap vlerësim politik për fatin e tij politik meqenëse është partner i koalicionit”, tha Hoxhaj.

Ai tha se i takon kryeministrit të vendos për kabinetin qeveritar se si do të duket.

“…Por është temë që do të duhej të ballafaqohemi, por duhet ta lëmë që drejtësia ta thotë fjalën e fundit… Duhet ta respektojmë ligjin, është detyrë e prokurorisë të ofrojë qartësi”, tha Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri tha se nuk mund të tërhiqen paralele ndërmjet Nenad Rikallos dhe Aleksandër Jabllanoviqit, i cili sipas tij, në kohën sa ishte ministër në qeverinë Mustafa ka bërë deklarata të qarta, në përmbajtje raciste dhe të papranueshme.

“Vendimi i i Isa Mustafës në atë kohë ka qenë i drejtë”, tha ai.