Behgjet Pacolli ka këtë kërkesë nga Armenia lidhur me Kosovën

Aktuale September 23, 2017 - 21:15

Në ditën e fundit të takimeve të tij zyrtare në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, takoi homologun e tij nga Armenia, Eduard Nalbandyan.

Siç njofton Ministria e Jashtme, Pacolli i ka shprehur falënderimin për qasjen pragmatike të këtij shteti në raport me Kosovën dhe në veçanti për mbështetjen, që ky shtet i ka dhënë vendit tonë në Frankofoni.

Në vazhdim, Pacolli ka vlerësuar pozitivisht nivelin aktual të dialogut dhe komunikimit politik në mes dy vendeve, përkundër mos-njohjes “de jure” të pavarësisë së Kosovës.

“Ne besojmë fuqishëm se njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Armenia do të forconte stabilitetin dhe paqen në rajon, dhe do të promovonte perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe të gjithë rajonit”, ka thënë Pacolli.

Tutje, ai, e ka njoftuar bashkëbiseduesin e tij armen se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, do të mbetet një ndër prioritetet parësore të politikës së jashtme, duke i kërkuar mbështetjen e shtetit të Armenisë në lidhje me këtë proces.

Në fund të takimit, Pacolli kërkoi njohën e pasaportave të Republikës së Kosovës, duke argumentuar se deri më tash 185 shtete e pranojnë pasaportën e vendit tonë dhe se kjo do të lehtësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët, do të promovonte shkëmbimin ekonomik, akademik dhe turisik.