Pacolli: Përfshirja e SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi është e domosdoshme

Aktuale September 30, 2017 - 20:39

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme, raporton “Zeri.info”.

Sipas Pacollit, kjo për faktin se edhe në të kaluarën SHBA-të kanë pasur rol vendimtar në përfundimin e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, ndërtimin e paqes dhe garantimin e stabilitetit në Evropën Juglindore, respektivisht Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, një marrëveshje përfundimtare-historike në mes të Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e SHBA-ve është pothuajse e paimagjinueshme.

Postimi i plotë i Pacollit:

Përfshirja e SHBA në dialogun Kosovë-Serbi, e domosdoshme

Duke marrë parasysh rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përfundimin e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, ndërtimin e paqes dhe garantimin e stabilitetit në Evropën Juglindore, respektivisht Ballkanin Perëndimor është pothuajse e paimagjinueshme dhe shumë e vështirë të ketë një Marrëveshje përfundimtare/historike Kosovë-Serbi pa përfshirjen direkte të ShBA-ve.

Andaj, përfshirja direkte e SHBA-së bashkë me BE-në, në fazën përfundimtare është e domosdoshme, në mënyrë që të sigurohet një Marrëveshje përfundimtare e pranueshme dhe e zbatueshme për të dy palët.