Kjo është arsyeja përse institucionet po heshtin për raportin shëndetësor të të arratisurit nga QKUK-ja

Aktuale October 08, 2017 - 23:25

I dënuari për vrasje të kryer në vitin 2004, Avni Osmani arriti që të arratisej nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës, pasi u transferua aty nga gjendja shëndetësore që kishte.

Ky i fundit ka realizuar një ikje të cilën e kishin realizuar edhe disa të burgosur më parë.

Lidhur me këtë çështje, Indeksonline ka provuar të kuptojë përmes informacioneve brenda Burgut të Dubravës lidhur me gjendjen shëndetësore të tij para se të nisej për në QKUK.

Janë pikërisht Shërbimi Korrektues i Kosovës të cilët kanë theksuar se të gjitha dokumentacionet mjekësore lidhur me rastin e Osmanit janë përcjellë tek hetuesit policor.

“I gjithë dokumentacioni mjekësor, duke përfshirë udhëzimet së bashku me të dhënat tjera përcjellëse u janë dorëzuar hetuesve policor qe janë duke u marrë me rastin”, ka thënë për Indeksonline, Jeton Kabashi nga SHSKUK.

Ndërkohë të kontaktuar nga Indeksonline, Departamenti për Shëndetësinë në burgje ka cilësuar se nuk mund të japin informacione të natyrës që e dëmtojnë procesin e hetimeve lidhur me rastin.

“Sa u përket raporteve mjekësore, është në përgjegjësinë e ShSKUK nëse mund të japin ndonjë informacion që ka lidhje me të burgosurin i cili ka qenë i shtrirë në QKUK. Konstatimet mjekësore janë pjesë e dokumentacionit që i është dhënë Policisë nga Udhëheqësia e Burgut të Dubravës”, është thënë në një përgjigje elektronike të dhënë për Indeksonline nga Departamenti për Shëndetësinë në burgje.

Ndërkohë Indeksonline ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Policia e Kosovës lidhur me ecurinë e hetimeve, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Duhet përkujtuar që pak ditë më vonë nga Burgu i Dubravës janë shkarkuar dy oficerë përgjegjës për rastin si dhe U.SH e detyrës së Drejtores së Burgut, Zyrafete Imeraj përderisa i arratisuri, Osmani vazhdon të jetë në arrati që nga data 30 shtator.