Seanca për projektbuxhetin, të dielën në orën 15:00

Aktuale December 07, 2017 - 11:16

Vazhdimi i seancës për projektbuxhetin e vitit 2018 do të mbahet të dielën në orën 15:00. Kështu ka bërë të ditur Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka propozuar që këtë ditë të mbahet seanca, po qe se Grupet Parlamentare nuk janë të gatshme të votojnë sot. 

Mirëpo, opozita e ka kundërshtuar një gjë të tillë dhe ka bërë thirrje që ky projektligj të hidhet sot në votim, në mënyrë që të dëshmohet nëse pushteti i ka apo jo numrat. Ndërkaq, partitë në pushtet kanë deklaruar se janë të gatshme ta votojnë në parim këtë projektligj, qoftë sot apo të dielën.
 
“Sot nuk del në votim. Atëherë vazhdimin e seancës do ta kemi të dielën në orën 15:00”, tha Veseli.

Shefi i GP-së së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se partitë në pushtet do ta kenë edhe më të vështirë ta kalojnë projektligjin të dielen, sesa ditëve të punës.
“Nuk e di si kjo qeveri do ta kalojë buxhetin në ditë pushimi, kur nuk po mund ta kalojë në ditë pune. Unë mendoj se do t’i keni më pak se 59 vota ose 60”, deklaroi ai. 

Ndërkaq, shefi i GP-së së LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje që projektbuxheti të vihet në votim, në mënyrë që të dëshmohet nëse shumica i ka apo jo votat.

“Ka deputetë më shumë se 61 në sallë, qiteni në votim, duhet të siguroheni se shkon në votim me votat e pozitës. Seanca duhet të vazhdojë”, theksoi ai. 

Kurse, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se ky subjekt është i gatshëm ta votojë këtë projektbuxhet, qoftë sot ose të dielën.
“GP i PDK-së është i gatshëm tash ta votojë buxhetin e Kosovës. Nëse nuk votohet sot, jemi të gatshëm të dielën të jemi këtu”, deklaroi ai.

Edhe kryetari i GP-së së AAK-së, Ahmet Isufi, tha se kjo parti është e pajtimit që seancën për buxhetin ta mbajë të dielen.


“Pajtohemi që të dielën ta mbajmë seancën, për të treguar se mundemi edhe vikendeve t’i mbajmë seancat me sukses”, u shpreh ai.
Kurse, Bilall Sherifi nga Nisma, tha se ky subjekt është i gatshëm të votojë atëherë kur mazhoranca i ka votat.