Përplasje në ‘anglisht’ mes Haradinajt e Shalës

Aktuale December 07, 2017 - 12:58

Seanca e sotme ku po diskutohet rreth programit të qeverisë ka nisur me kritika qysh nga fillimi dhe ashtu po vazhdon ende.

Gjatë kësaj seance ka pasur replika të njëpasnjëshme mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe deputetit të LDK-së, Kujtim Shala, raporton “Zeri.info”.

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka nisur në kuvend marrëveshjen e demarkacionit, bashkë me raportin e komisionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Shala me këtë rast, ka thënë se kryeministri nuk do të duhej që ta votonte këtë marrëveshje, po qe se deklarohet se është kundër saj.

Me këtë rast, ai ka thënë se Haradinaj tashmë është bërë pjesë e kësaj marrëveshjeje, meqë sipas tij, ka firmosur versionin e tanishëm.

“Nga ai moment keni autorësinë e asaj marrëveshjeje”, i ka thënë Shala Haradinajt, raporton “Zeri.info”.

Ndërkaq, Haradinaj duke pranuar se e ka nënshkruar atë për të kaluar në kuvend, ka thënë se LDK nuk ka “qare” pa e votuar këtë version.

“Po tërhiqem, ke të drejtë, është nënshkrimi im, po qare pa votuar s’keni se ju keni thënë krejt dynjasë se do ta votojmë”, ka thënë Haradinaj.

Një gjë të tillë shefi i ekzekutivit e tha edhe në gjuhën angleze, duke deklaruar se deputetët duhet të zgjedhin opsionin “yes” ose “no” rreth kësaj marrëveshjeje. 

Pas kësaj, është kundërpërgjigjur menjëherë Shala, i cili i është përgjigjur po ashtu me opsionin anglisht rreth votës së LDK-së karshi kësaj marrëveshjeje.

“E tash shqip po, e them anglisht siç  e do kryeministri Yes”, ka theksuar ai, duke treguar për votën e LDK-së./ZËRI/