“Edhe nëse zgjidhë çështjen e Kosovës, Serbisë nuk i sigurohet anëtarësimi në BE”

Aktuale February 25, 2018 - 23:38

Nëse vazhdon me këtë ritëm, Serbia nuk do të jetë gati deri në vititn 2025 për Bashkimin Evropian.

Për të zgjidhur çështjen e Kosovës, Serbia duhet të presë një çmim të duhur nga BE-ja.

Kështu mendon, Korina Stratulat, eksperte e Ballkanit në Qendrën Evropiane të Politikave të Brukselit. Sa i përket anëtarësimit të Serbisë në BE, ajo thotë se nuk ka nevojë për të gjetur kushte të reja pasi ekzistueset janë të mjaftueshme, transmeton lajmi.net.

“Shtetet anëtare e kanë fjalën e fundit kur vjen puna për të vendosur se kush do të hyjë në rrugën e BE-së, megjithatë unë nuk mendoj se ata do të gjejnë kushte të reja. Aktualet janë të mjaftueshme”.

Sipas saj, zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk është vetëm një kusht tjetër, por kushti themelor për Serbinë.

“Në qoftë se kjo është zgjidhur besoj se Serbia do të marrë shpërblimin e duhur. Unë pres që BE-ja ta vlerësojë”, ka thënë Stratulat.

Megjithatë, ajo paralajmëron se shtetet anëtare ende do të jenë në gjendje për të bllokuar rrugën e Serbisë në BE, edhe pas arritjes së një marrëveshjeje në mes Serbisë dhe Kosovës, pasi disa prej tyre nuk do ta shohin këtë çështje të zgjidhur, ose do dalin kundër për shkak të çështjeve të tyre të brendshme apo për shkak të rezultateve të Serbisë në reforma.