Vuçiq: Me presidentin francez do të bisedojmë në katër sy për Kosovën

Aktuale July 15, 2018 - 16:54
Lexoni më shumë detaje

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të martën (më 17 korrik) do të qëndrojë në Paris ku do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili sipas gazetës beogradase “Blic” do t’ia përcjell Vuçiqit të paktën tri mesazhe, nga të cilat, njëri do të jetë i dhembshëm.

Vuçiq thotë se me presidentin francez do të bisedojë në katër sy lidhur me çështjen e Kosovës.

Ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni, ka thënë se mesazhi i parë ka të bëjë me zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale që po ecin gjithnjë e më mirë në fushat ekonomike, politike e kulturore, përcjell Telegrafi.

Ndërsa mesazhi i dytë është përkrahja e Francës për Serbinë në rrugën e saj evropiane.

Sipas ambasadorit francez në Beograd, mesazhi i tretë është tema e dhembshme që ka të bëjë me Kosovën dhe me ripërtëritjen e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se me Presidentin francez Emmanuel Macron të martën do të diskutojnë për çështjet rajonale, kryesisht mbi Kosovën si dhe marrëdhëniet dypalëshe.

“Pres shumë nga bisedimet me presidentin Macron. Mendoj se ky takim është shumë i rëndësishëm për Serbinë. Në periudhën e mëparshme nuk kishim një komunikim të tillë të disa presidentëve francezë dhe homologët e tyre serbë. Vizita e fundit daton më shumë se 15 vjet më parë, Jacques Chirac vizitoi Beogradin”, tha ai.

Vuçiq tha se fillimisht do të ketë bisedë në katër sy me Macronin, ku do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi çështjet rajonale, para së gjithash lidhur me Kosovën.