"Thaçi e Vuçiq veçse kanë arritur marrëveshje për dialogun"

Aktuale July 17, 2018 - 18:53
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Analisti Nexhmedin Spahiu ka deklaruar se presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq veçse kanë arritur marrëveshje në lidhje me përmbylljen e procesit të dialogut.

“Si duket Thaçi dhe Vuçiqi janë marrë vesh për një kompromis të cilin ne nuk e dimë, dhe vetëm mund të hamendësojmë. Madje edhe diplomatët që pëshpërisin për këtë nuk ja kanë idenë. Pritet që tash edhe palët tjera të sjellën rreth asaj marrëveshje që është bërë në mes të dy presidentëve. Nëse janë thënë publikisht që marrëveshja do të duhej të arrihet në vitin 2019 atëherë ajo do të duhej të jetë gati”.

Sipas Spahiu në princip një marrëveshje kornizë, brenda të cilave do te zhvillohej procesi i dialogut, është arritur në mes të Thaçit dhe Tadiqit, para se të fillonin negociatat.

Ai gjatë një interviste në Info Magazine të Klan Kosovës shtoi se procesi i dialogimit gradualisht ka sjellë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, ndonëse jo të plotë.

“Nuk do ta quaja dështim nëse pas 20 vjetësh të konfliktit, dialogu nuk rezulton me njohje të drejtpërdrejtë. Tani kjo është punë pazaresh. Në këtë rast Serbia e shet njohjen e saj, e do ta shesë sa më shtrenjtë. Kjo bëhet përmes të drejtave për kompetencat për asociacionin, marrëveshjeve bilaterale etj. Për një pazar më të mirë në Bruksel duhet t’i kemi në rregull punët brenda. E dyta ka të bëjë edhe me ekipin që dërgojmë atje. Sa më i mirë të jetë ekipi rezultatet janë më të mira”.

Spahiu gjithashtu ka shtuar se pjesë e procesit të dialogut duhet të jetë edhe opozita.