Vizat, 'nën hije' të kufijve

Aktuale August 14, 2018 - 08:09
Lexo detajet

Procesi i liberalizimit të vizave me BE-në ka mbetur “nën hije” të iniciativës së fundit të presidentit Hashim Thaçi për bashkimin e Luginës me Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ka kaluar një muaj prejse Komisioni Evropian (KE) ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave me Kosovën, por institucionet përgjegjëse janë fokusuar në tema të tjera politike, duke e lënë anash lobimin te shtetet anëtare të BE-së dhe fushatën informuese të liberalizimit për qytetarët.

Zhvillimet politike në vend, si Asociacioni i Komunave Serbe në njërën anë dhe procesi i dialogut me Serbinë në anën tjetër, përkatësisht bashkimi i Luginës me Kosovën, janë dy çështje që kanë lënë “nën hije” procesin e liberalizimit të vizave,  proces ky që sipas krerëve të shtetit do të përfundojë këtë vit.

Megjithatë, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha ka mohuar për “Zërin” se procesi i liberalizimit të vizave është lënë anash nga Qeveria e Kosovës, ndonëse të kundërtën po e thonë përfaqësuesit e opozitës dhe ekspertët e integrimit.

Hoxha: Liberalizimi s’është lënë anash

“Procesi i liberalizimit të vizave nuk është lënë anash dhe nuk ka asnjë shmangie nga detyrat dhe përgjegjësitë tona lidhur me këtë çështje konsensuale dhe prioritare të Qeverisë dhe të të gjitha institucioneve relevante të vendit. Pas aprovimit në Parlamentin Evropian çështja e liberalizimit të vizave përcillet te Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe Çështje të Brendshme, të cilin e përbëjnë ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së”, ka thënë Hoxha për gazetën “Zëri”.

E pyetur se çka është duke bërë Qeveria në raport me procesin e liberalizimit të vizave, Hoxha ka thënë që vazhdimisht po lobohet për këtë çështje.

“Lobimi nuk është ndërprerë, ka vazhduar dhe do të vazhdojë gjithsesi në instancat e vendimmarrjes brenda komisioneve që merren me vlerësimin, të përshkruara më lart. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë me aktivitetet që janë në funksion të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve të Kosovës sa i përket procesit si të tillë, ashtu sikundër që do të punojnë në thellimin e bashkëpunimit me institucionet e BE-së dhe vendeve anëtare të saj sa i përket këtij procesi”, ka theksuar ajo.

Ajo është shprehur e bindur që ka unitet brenda BE-së që Kosova t’i marrë vizat.

“Ne jemi të bindur se ka unitet të mjaftueshëm në instancat e Brukselit që ta realizojmë liberalizimin e vizave, sepse nëse do të ishte ndryshe nuk do ta merrnim as opinionin pozitiv për liberalizim. Po ashtu më lejoni të them se vendet të cilat nuk e kanë njohur vendin tonë si shtet të pavarur nuk i kanë kundërshtuar proceset pozitive të shtetit tonë në drejtim të liberalizimit të vizave, besoj se ashtu do të vazhdojë”, ka thënë më tutje Hoxha.

Kusari-Lila: Presidenti është fokusuar te dialogu, liberalizimi mund të dëmtohet

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Alternativës Mimoza Kusari-Lila pavarësisht se shprehet optimiste se Kosova këtë vit mund ta marrë liberalizimin e vizave, ajo për “Zërin” ka thënë edhe se mund të ketë komplikime për këtë proces si rrjedhojë e zhvillimeve politike në vend.

“Kosova mund ta marrë liberalizimin e vizave në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, por gjithsesi jo në një të ardhme të afërt për arsye të proceseve që po ndodhin brenda BE-së. Ndërkohë edhe sjellja dhe moskoordinimi i objektivave dhe i platformës për dialog me Serbinë e komplikon procesin e liberalizimit të vizave, në të cilin mundet pastaj të ketë kushte të mëtutjeshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, agjenda e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit është e fokusuar vetëm në dialogun me Serbinë dhe pikërisht kjo mund ta dëmtojë procesin e liberalizimit për Kosovën.

“Ka një çakordim total dhe një agjendë tërësisht ndryshe të presidentit të vendit në raport me pjesën tjetër të spektrit politik në Kosovë. Presidenti është duke bërë shkelje të drejtpërdrejta dhe kjo mundet ta komplikojë situatën në raport me procesin e liberalizimit, edhe pse këto procese drejtpërdrejt nuk janë të njëjta, por që ndikimet nuk mund të përjashtohen”, ka thënë më tutje ajo.

Kollçaku: Qeveria aktuale po e shtyn procesin e liberalizimit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka thënë që ky proces është lënë anash nga Qeveria aktuale, përfaqësues të së cilës po e zvarrisin edhe më tej këtë proces.

“Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë të qartë se liberalizimi nuk do të ndodhë gjatë këtij viti. Ajo që është më e besueshmja është që liberalizimi të ndodhë eventualisht kah mesi i vitit të ardhshëm, mirëpo siç po shihet shumë procese tanimë po ndërlidhen me proceset në Kosovë, ndër to tanimë edhe çështja e dialogut dhe shumë procese të tjera”, ka potencuar Kollçaku.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës po kontribuon në shtyerjen e procesit të liberalizimit të vizave.

“Këta pushtetarë janë duke i kontribuar shtyrjes së këtij procesi jo vetëm të liberalizmit, por Kosova nuk është fare në agjendën e BE-së. Ne do të presim edhe 20-30 vjet që të flasim për ndonjë hap në drejtim të antarsimit në BE e që ndoshta deri në atë kohë nuk do të ekzistojë edhe vetë Bashkimi Evropian”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Kryeziu: Qeveria, pasive në raport me vizat

Njohësi i integrimeve evropiane Taulant Kryeziu ka thënë për “Zërin” që qytetarët e Kosovës as këtë vit nuk do të lëvizin lirshëm, pasi që institucionet e Kosovës nuk janë duke bërë asgjë në këtë drejtim.

“Është gati se e pamundur që këtë vit qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm. Skenari pozitiv do të ishte që së paku të kishte vendimmarrje, por momentalisht institucionet tona, posaçërisht Ministria e Integrimeve, është totalisht e pasivizuar e nën hije dhe nuk po shoh që po zhvillon as kampanjë informuese brenda e lëre më jashtë vendit”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu më tutje ka thënë që dialogu me Serbinë është njëra nga çështjet që ka marrë të gjithë vëmendjen e institucioneve të vendit, për këtë arsye sipas tij as këtë vit nuk do të kemi liberalizim të vizave.

“Është e vërtetë që dialogu e ka marrë komplet vëmendjen e lidershipit politik në vend dhe çdo qeveri do të duhej të ishte shumë më korrekte në raport me obligimet që i ka karshi këtij procesi. Prandaj nuk pres që viti 2018 të jetë vit i lëvizjes së lirë. Ajo që pres është që së paku të kemi vendimmarrje këtë vit, pra që Këshilli dhe Parlamenti Evropian të bashkëvendosin këtë vit, por që ne me pasaportë tonë nuk do të mundë të lëvizim këtë vit në zonën Shengen”, ka theksuar ai.

Kryeziu në mes të tjerash ka thënë që ne duhet të prodhojmë një dinamikë të brendshme dhe rezultate konkrete pozitive në Prishtinë, në mënyrë që ta bindim Berlinin, Parisin ose Romën për çështje si sistemi i drejtësisë, luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, të cilat janë elemente vitale që i shikojnë vendet anëtare të BE-së.