Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive

Aktuale August 20, 2018 - 10:50
Lexo tjera detaje

Avokati Destid Pallaska, në një intervistë për Gazetën “Zëri”, ka folur në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ndër të tjera ai ka thënë se askush nuk mund të negociojë diçka përtej Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje.

Zëri:Një çështje tjetër aktuale është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Draftstatuti i përgatitur nga ekipi menaxhues nuk do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës, por Bashkimit Evropian. A vlerësoni se kjo do ta komplikojë më shumë këtë çështje?

Pallaska: Draftstatuti i përgatitur nga ekipi menaxhues nuk prodhon asnjë efekt politik dhe/ose juridik, si i tillë nuk duhet të prodhojë lajm më vete. Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe duhet të krijohet në pajtim me marrëveshjen e vitit 2013, e cila parasheh shprehimisht se drafti përfundimtar i statutit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe do t’i nënshtrohet vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përkatësisht Kushtetutës së vendit.

Për shkak të çështjes së iniciuar vite më parë, në të cilën kam qenë i angazhuar si ekspert (amicus curiae) i Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me këtë çështje është i qartë dhe tanimë i njohur për të gjithë. Kjo Bashkësi nuk do të ketë kompetenca ekzekutive pasi që marrja e kompetencave ekzekutive nga komunat me shumicë serbe paraqet shkelje të të drejtave dhe autorizimeve kushtetuese të këtyre komunave. Askush nuk mund të negociojë diçka përtej vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me këtë çështje./ZËRI