Opozita numëron skandalet e qeverisë 'Haradinaj'

Aktuale September 10, 2018 - 11:33
Lexo tjera detaje

Zëdhënësja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, ka thënë për “Zërin” se kryeministrit Ramush Haradinajt nuk i është dashur një vit qeverisjeje për ta parë se sa skandale mund të prodhojë. “Që prej fillimit të udhëheqjes ishte gabim, duke i nisur pazaret për koalicion për kriminelin nga veriu Milan Radojçiq, vazhdimin me Rikalon, emërimin e mbi 80 zëvendësministrave, faljen e borxheve të ndërmarrjeve të papërgjegjshme, ndryshimin e qëndrimit për demarkacionin me Malin e Zi dhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pas kësaj edhe mashtrimi me liberalizimin e vizave, gjithsesi edhe me rritjen e pagës vetvetes, dhënia e 53 milionë eurove për ‘Bechtel Enka’-n paligjshëm e skandale të tjera të panumërta”, ka deklaruar Kurti, shkruan sot  Gazeta "Zëri".

Ajo më tej ka thënë se derisa skandalet e Haradinajt lulëzojnë si në prezantimet e tij publike e po ashtu në vendimet që merr papunësia dhe mjerimi social rritet. Ajo ka rikujtuar pushimet e kryeministrit në një vend shumë të shtrenjtë. “Para kësaj situate jo vetëm që nuk ka bërë asgjë, por përkundrazi e ka ekspozuar luksin e tij të tepruar si është rasti me pushimin në Saint Morriz, të cilin shumica e qytetarëve as nuk kishin dëgjuar për të e lëre më që do ta përballonin një pushim disaditor atje”, ka shtuar Kurti.

Edhe deputeti i Partisë Socialdemokrate, Sali Salihu, ka përmendur disa nga vendimet të cilat ai i ka quajtur skandaloze. “Kjo Qeveri është karakterizuar me vendime të çuditshme, si rritja e pagës për qeveritarët, ndërrimi i shpejtë i bordeve dhe përgjithësisht nuk është parë se ka pasur progres. Fokusi ka qenë te zhvillimet politike, pra në këto temat e mëdha dhe nuk ka pasur fokus zhvillimi ekonomik. Demarkacioni me Malin e Zi ka qenë përgjegjësia më e madhe, të cilën e ka marrë kryeministri deri më tani, i cili ka qenë vendim i dëmshëm”, ka potencuar Salihu.

Kurse duke folur për premtimin e kryeministrit Haradinaj të dhënë gjatë fushatës elektorale për liberalizim të vizave brenda tre muajve pas marrjes së mandatit, si dhe për formimin e ushtrisë në të njëjtën periudhë, Salihu ka thënë se tashmë është bërë e zakonshme që gjatë fushatës të jepen premtime të paarritshme. “Premtime në kohë të fushatave zgjedhore jepen pa mbulesë, pra jepen premtime të parealizueshme dhe më pas ato legjitimohen. Shembull e kemi dëgjuar në të kaluarën Isa Mustafën të premtojë 120 mijë vende pune dhe pasi erdhi në pushtet pati thënë se ai ka qenë premtim fushate”, ka rikujtuar Salihu./ZËRI