Rezoluta ndeshet me Kushtetutën

Aktuale September 12, 2018 - 07:47
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Kuvendi i Kosovës nuk do të mundë ta miratojë një rezolutë me anë të së cilës do të mbështetej kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, pasi që vlerësohet se do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Në PDK dhe në PSD thonë se kërkesa e shqiptarëve të Luginës duhet përkrahur, ndërsa në LDK insistojnë që kjo bie ndesh me aktin më të lartë juridik, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e drejtuar Kuvendit të Kosovës për ta nxjerrë një rezolutë me anë të së cilës do të mbështetej kërkesa e tyre për bashkim me Kosovën, nuk po gjen përkrahje te të gjitha partitë politike.

Kjo pasi disa prej tyre një gjë të tillë po e konsiderojnë antikushtetuese dhe lojë të rrezikshme të presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.

Teksa ka folur rreth kësaj rezolute, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se detyrë e tij është ta zbatojë Kushtetutën, ndërkohë në aktin më të lartë juridik theksohet qartë që “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.

Megjithëkëtë, zyrtarë të PDK-së kanë vlerësuar se kërkesa e Luginës është e qëlluar dhe si e tillë duhet të mbështetet. Por pavarësisht kësaj nga LDK-ja konsiderojnë se pa u ndryshuar Kushtetuta një rezolutë e tillë nuk mund të bëhet.

Njëjtë vlerësojnë edhe njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se kërkesa për një rezolutë të tillë ka qenë një skenar i përgatitur nga presidenti Hashim Thaçi. E përderisa PSD-ja vlerëson se kërkesat e shqiptarëve të Luginës duhet të përkrahen, nga LVV-ja thonë se duhet të ketë reciprocitet të plotë për shqiptarët e Luginës me serbët e Kosovës. 

Haradinaj: Detyra ime, zbatimi i Kushtetutës

Gjersa ka folur rreth rezolutës së kërkuar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili njëherësh është edhe kryetar i AAK-së, ka thënë se do të punojë në përputhje me Kushtetutën e vendit. “Ne do ta mbajmë çdoherë vëmendjen dhe interesimin për Luginën e Preshevës. Mendoj që detyra ime është zbatimi i Kushtetutës së vendit dhe ajo na obligon edhe në territor, edhe në kufij”, është shprehur Haradinaj gjatë së martës.

Kreu i ekzekutivit më tej ka thënë se hapja e çështjes së kufijve paraqet një eksperiment tejet të rrezikshëm. “Ajo që ju kam thënë është që loja me kufij dhe me territore është eksperiment i rrezikshëm, jam kundër këtyre eksperimenteve dhe lus që të gjithë të kenë kujdes, sepse ju siguroj që të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se sa e rrezikshme është loja me kufij në Ballkan”, ka theksuar më tutje lideri i AAK-së.

Beqa: E mbështes kërkesën e shqiptarëve të Luginës

Për dallim prej tij, deputetë të PDK-së vlerësojnë se kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të miratohet një rezolutë e tillë duhet përkrahur. “PDK-ja nuk ka pasur ende ndonjë takim për ta shqyrtuar kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Por unë mund ta jap mendimin tim si deputet, konsideroj që është kërkesë e drejtë. Qytetarët e asaj ane janë deklaruar edhe me referendum në vitin 1992 për t’iu bashkuar Kosovës. Unë e mbështes kërkesën e tyre”, ka theksuar deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. 

Megjithëkëtë, Beqa është shprehur skeptik nëse bashkimi i Luginës me Kosovën mund të bëhet realitet.

“Konsideroj që është e vështirë. Ne e dimë që padrejtësisht është ndarë ajo pjesë. Mendoj që është shumë e vështirë për t’u realizuar, por mendoj që shqiptarët duhet të punojnë në atë drejtim”, ka potencuar ai. 

Selmanaj: Kuvendi s’mund të nxjerrë vendime antikushtetuese                                                                                          

Teksa ka komentuar kërkesën për miratimin e një rezolute që mbështet kërkesën e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj ka thënë se një gjë e tillë është kundër aktit më të lartë juridik në Kosovë.

“Një ide e tillë që kinse Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerrë rezolutë të tillë është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse Kushtetuta jonë ka përcaktuar që as nuk kemi ambicie ndaj territoreve të shteteve të tjera, por as nuk preket territori ynë. Territori ynë është i pacenueshëm, kështu që Kuvendi nuk guxon të bjerë pre për të miratuar rezoluta që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ne mund ta ndërrojmë atë nëse ka nevojë, por Kuvendi s’mundet që të nxjerrë vendime antikushtetuese”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndonëse LDK-ja ende nuk e ka trajtuar këtë temë, Selmanaj ka vlerësuar se zhvillimet e fundit sa i përket kërkesës për rezolutë janë në vazhdën e lojërave të rrezikshme të presidentit Thaçi.

“Për fatin e keq po manipulohen shqiptarët tërësisht. Shqiptarët e Kosovës dinë qe 30 vjet, për të mos thënë edhe më tepër, për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën. Por i dimë rrethanat politike se si ka ndodhur dhe si është krijuar shteti i Kosovës”, ka vënë në pah ai. 

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka vlerësuar se qëllimi i vetëm i presidentit është që ta përdorë Luginën për interesat e tij personale.

Nagavci: Kërkesat e shqiptarëve të Luginës të trajtohen seriozisht

Megjithëkëtë, Nagavci ka thënë se LVV-ja është për t’i mbështetur kërkesat e shqiptarëve të Kosovës Lindore.

“Lëvizja gjithmonë ka qenë për reciprocitet të plotë të të drejtave dhe jemi në mbështetje të kërkesave të qytetarëve të Luginës. Sigurisht që jemi të interesuar për më të mirën për ata dhe për ne”, ka shtuar ajo, duke mos saktësuar nëse LVV-ja do ta përkrahte edhe rezolutën e kërkuar nga shqiptarët e Luginës po që se ajo do të shkonte në Kuvend.   

Kërkesat e shqiptarëve të Luginës, siç Nagavci është shprehur, duhet të trajtohen me seriozitet, me sinqeritet dhe me kompetencë, jo si aventura personale të presidentit.

“Pra, për çdo çështje kaq të rëndësishme sikurse është dialogu duhet një platformë e mbështetur nga një ekip dhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka nënvizuar ajo.

Ndërkaq Partia Socialdemokrate (PSD) ka bërë të ditur se mbështet plotësisht kërkesat e shqiptarëve të Luginës.

“Duke e konstatuar gjendjen e vazhdimit të diskriminimit dhe të shtypjes sistematike të autoriteteve shtetërore të Serbisë ndaj qytetarëve shqiptarë të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës Partia Socialdemokrate ka shprehur mbështetjen e plotë për përfshirjen e kërkesave të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

Sipas PSD-së, çështja e Luginës së Preshevës është dashur të jetë që nga fillimi temë e dialogut në Bruksel. “Kërkesat e Luginës duhen të trajtohen në dialogun e Brukselit. Çështja e Luginës duhet të trajtohet si e pandashme në kuptimin territorial në kuadër të dialogut për njohje reciproke”, ceket më tej.

Mushkolaj: Parlamenti s’mund ta miratojë rezolutën e kërkuar

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka konsideruar se Parlamenti nuk mund të marrë vendim për miratimin e rezolutës së kërkuar nga përfaqësuesit e Luginës, pasi sipas tij një vendim i tillë bie ndesh me Kushtetutën.

“Së pari, Kuvendi i Kosovës nuk mund të bëjë kësi rezolute për shkak se është shkelje kushtetuese. Ne e dimë që në bazë të Kushtetutës Kosova e ka të ndaluar të bashkohet me shtete të tjera dhe të bëhet thirrje për rezolutë për një çështje të tillë mendoj që është përzierje në integritetin dhe në sovranitetin e Serbisë. Kështu, unë konsideroj që është antikushtetuese qysh në start nëse Kuvendi vendos për ta bërë një rezolutë të tillë”, është shprehur ai.

Sipas tij, haptazi dihet që kjo është një përpjekje e presidentit Thaçi për t’i çuar përpara idetë e tij.

“Më shumë sesa ide që vjen nga përfaqësuesit e Luginës mendoj që është ide e Thaçit që ua ka prezantuar përfaqësuesve të Luginës, pastaj ata natyrisht që e kanë pritur, sepse ata e kanë shprehur vullnetin qysh në ’92-ën për t’u bashkuar me Kosovën”, ka shtuar ai.

Prandaj e tërë kjo, siç Musholaj ka konkluduar, është një manipulim i kreut të shtetit me shqiptarët e Luginës së Preshevës.