Haradinaj takon Thaçin, thotë se zgjidhja nuk arrihet me biseda për territore

Aktuale September 12, 2018 - 16:49
Lexoni më shumë detaje

Kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit që pati me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi tha se zgjidhja me shtetin serb nuk mund të arrihet përmes shkëmbimit të territoreve raporton “Zeri.info”.

Në konferencë për media Haradinaj e Thaçi u pyetën edhe për idenë për shkëmbim të territoreve me shtetin serb.

LEXO EDHE: Haradinaj takon Thaçin dakordohen për bashkëpunim

Me këtë rast Haradinaj përsëriti qëndrimet e tij duke thënë që zgjidhja me Serbinë nuk mund të arrihet përmes bisedimeve për shkëmbim të territoreve.

“Me presidentin Thaçi ka dy ditë që nuk jemi takuar, por kemi takime të rregullta edhe pune edhe takime tjera. I diskutojmë të gjitha temat, dhe kemi mendime ndryshe për arritjen e një marrëveshje obligative ligjore me Serbinë për njohje reciproke, bindja ime është që te kjo zgjidhje nuk arrihet me territore e kufij, por me gatishmërinë për paqe dhe pajtim mes popujve. Kosova megjithëse ka dhimbje e vuajtje të mëdha nga lufta prapë do e gjejë forcën që të eci përpara, që të ecim drejtë Evropës”, tha Haradinaj.

Ai shtoi edhe se Kosova është e gatshme për një marrëveshje me Serbinë, që nuk përfshin shkëmbimin e territoreve.

“Ne jemi shumë të interesuar për një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, por tek ajo nuk  mund të arrijmë përmes territoreve dhe kufijve”, theksoi Haradinaj.

Ndërsa Menduh Thaçi i pyetur se nëse pjesë e bisedimeve me kryeministrin, Haradinaj ishte edhe çështja e kufijve ai u përgjigj se nuk biseduan për këtë gjë, por që ai u beson institucioneve të Kosovës për këtë çështje.

“Kam një besim të plotë dhe mbështetje në lidershipin dhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës se ata do të dinë mënyrën më të mirë për gjithë shqiptarët që ta vazhdojnë këtë dialog”, tha ai. /ZERI

Image