Pas votimit të projektligjit për ushtrinë, deklarohet Haradinaj

Aktuale September 13, 2018 - 11:57
Lexoni më shumë detaje

Menjëherë pas mbledhjes së qeverisë ku u votua projektligji për shndërrimin e FSK-së në ushtri, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar rreth kësaj, duke thënë se një vendim i tillë është krejtësisht ligjor, raporton Zeri.info.

I pyetur nëse Kosova e ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për ta bërë ushtrinë tash për tash, kreu i ekzekutivit ka thënë se disa vendime janë të Kosovës.

“Ky është një veprim ligjor, në bazë të kompetencave që ka qeveria në bazë të kushtetutës së vendit. Procesi i tillë i punës vazhdon në çdo etapë. Çdoherë do të konsultohemi me të gjithë, disa vendime janë tonat, janë të Kosovës, i kemi në kuadër të kompetencave tona. Ne kemi vazhduar konsultat, edhe tash jemi çdoherë në konsultë, vendimi është kompetencë e jona, e një vendi sovran, me të drejtat që kemi. Urime”, tha Haradinaj gjatë konferencës së mbajtur sot.

Ai me këtë rast, ka thënë se sot ka qenë momenti i duhur për ta ndërmarrë vendimin për votimin e projektligjin për ushtrinë.

“Ajo që mund t’ju siguroj sot është se qeveria ka votuar forcën e saj mbrojtëse. Parlamenti e ka pjesën e vet, presidenti nënshkrimin, por Kosova ka ecur në këtë temë. Kosova udhëton me NATO-n qe 20 vjet, por i ka ardhur koha të ndodhë”, ka nënvizuar ai./Zeri/