Thaçi: Një kryeministër normal nuk flet për luftëra e tragjedi

Aktuale October 08, 2018 - 17:54
DETAJET

Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj janë duke e ‘sulmuar’ njëri tjetrin me fjalë lidhur me qëndrimet e ndryshme për vazhdimin e dialogut me Serbisë ku pritet të përfshihet edhe tema e korrigjimit të kufijve në mes të dy shteteve, raporton “Zëri.info”.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi në një konferencë për media sot ka deklaruar se një kryeministër normal nuk i përmend vazhdimisht luftërat dhe tragjeditë. Me këtë rast Thaçi i ka kërkuar atij që të i ‘korrigjojë’ deklaratat e tij lidhur me këtë çështje.

LEXO EDHE: Thaçi: Haradinaj ka nevojë të korrigjohet

“Është deklaratë interesante edhe nga ana e kryeministrit. Kjo tregon që ose është në humor të mirë ose është tepër komod në karrigen e vet. Por të them të drejtën unë kam pritur nga kryeministri që të jetë më racional, dhe i përgjegjshëm në deklaratat e tij lidhur me dialogun.  Një kryeministër serioz nuk flet çdo ditë për luftëra dhe tragjedi, por zhvillon prioritetet dhe angazhimet për reforma”, është shprehur ai.

Tutje Thaçi ka kërkuar nga Haradinaj që të i ndryshojë deklaratat dhe qëndrimet e tij lidhur me dialogun sepse pa një vazhdim të mirëfilltë të dialogut, Kosova sipas Thaçit nuk ka të ardhme euroatlantike. Po ashtu ai ka deklaruar se nuk ndihet i shqetësuar nga deklaratat e kryeministrit për korrigjimin e kufijve në mes të dy shteteve.

“Nuk jam fare i shqetësuar për deklaratat populiste apo elektorale asnjë përmbajtje sepse tek e fundit unë do të luaj rolin tim, të udhëheqjes në bazë të mandatit tim dhe ligjeve në procesin e dialogut dhe në asnjë rrethanë nuk do i shtojë kompetencat që nuk më takojnë. Unë jam duke i udhëhequr negociatat me Serbinë e jo kryeministri.  Kërkoj nga të gjithë edhe nga kryeministri një qasje shumë më të mençur dhe të shkathtë në këtë proces.  Jam i sigur që kryeministri ka nevojë të i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij për dialogun.  Pa dialogun nuk ka të ardhme euroatlantike për Kosovën”, ka thënë tutje.

LEXO EDHE: Thaçi: UÇK-ja në listat zyrtare ka pasur deri në 15.000 ushtarë

Në vazhdim Thaçi ka përmendur edhe mundësinë e zgjedhjeve. Ai përmes një fjalie ka lënë të nënkuptohet se kryeministri shumë shpejt edhe mund të zëvendësohet.

“Të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme dhe se presidentët e kryeministrat mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë të tjerë, e sidomos mund të ndërrohen shpejtë ata që nuk korrigjohen”, ka thënë ai.

Në këtë konferencë presidenti edhe njëherë ka mbështetur vendimin e koalicionit qeverisës për hartimin e një draft-rezolute për dialogun me Serbinë.

 

“Edhe njëherë sot përshëndes vendimin e subjekteve politike të koalicionit për harmonizimin e qëndrimeve politike dhe hartimin e rezolutës së përbashkët për dialogun. Është shumë e rëndësishme për shtetin tonë që të gjithë ne të jemi sa më unik dhe të bashkohemi për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të shtetit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të vazhdojë në Bruksel”, ka thënë ai.

Thaçi ka kërkuar nga të gjithë që interesi shtetëror të jetë para interesave të tjera të secilit person dhe partie politike. Ai ka pohuar se mbështet këtë rezolutë dhe me këtë rast ka ftuar partitë opozitare që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Interesi shtetëror i Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi çdo interes partiak, individual, shoqëror, populist apo elektoral. Çdo rezolutë që do të nxirret prej partive politike në kuvend që respekton Kushtetuan e Kosovës, ligjet e Kosovës nga ana ime jo vetëm që do të jetë e mirëseardhur por do ta ketë përkrahjen e plotë. Pra një rezolutë nuk mund të del mbi dokumentin kushtetues, prandaj me rëndësi është që të gjithë duhet ta kenë parasysh respektimin e Kushtetutës së Kosovës. Ftoj Gjithë spektrin politik, pozitë opozitë që të bashkohemi dhe të punojmë bashkarishtë të nxjerrim një rezolutë, që hap mundësinë për funksionimin normal por edhe për marrjen e përgjegjësive.  Beteja me Beogradin zhvillohet në tavolinë ku është udhëheqësi edhe Bashkimi Evropian por edhe me mbështetjen e plotë të SHBA-ve.  Dialogu nuk ka vdekur përkundrazi është në një fazë të rëndësishme. ”, ka deklaruar ai. /ZËRI