Thaçi kërcënon Haradinajn me zgjedhje

Aktuale October 09, 2018 - 07:46
Ja çfarë thotë Thaçi për Haradinajn
Image

Përplasjet ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi rreth idesë së “korrigjimit” të kufijve me Serbinë të hënën kanë prekur zenitin, me ç’rast Thaçi i ka thënë Haradinajt se “ata që nuk korrigjohen, shumë lehtë mund të ndërrohen”, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar kryeministrin Ramush Haradinaj se shumë shpejt mund të mos jetë më kryetar i Qeverisë, po qe se nuk e ndryshon qëndrimin rreth idesë së “korrigjimit” të kufijve.

LEXO EDHE: Thaçi: Një kryeministër normal nuk flet për luftëra e tragjedi

Thaçi gjatë ditës së djeshme tha se çdo kryeministër i vendit mund të ndërrohet, po qe se nuk korrigjohet së pari. Ky “kërcënim” në drejtim të shefit të ekzekutivit erdhi pasi Haradinaj gjatë ditës së djeshme tha se ideja e korrigjimit të kufijve (e proklamuar nga Thaçi tash e sa kohë), tashmë ka vdekur. Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se presidenti me deklarata të tilla ka dashur t’i tregojë kryeministrit se mund ta shkarkojë atë përmes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën dikur e drejtonte Thaçi.

Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e partisë së Haradinajt, AAK-së, mbeten të sigurt se nuk do të ketë rrëzim të Qeverisë. Kjo pasi sipas tyre, për zgjedhje vendosin partnerët e koalicionit e jo kreu i shtetit.

“Lufta” mes Thaçit e Haradinajt

Sulmet verbale të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar kryeministrit, Ramush Haradinaj, erdhën menjëherë pasi ky i fundit, për të disatën herë me radhë, gjatë ditës së djeshme doli kryekëput kundër idesë së Thaçit për korrigjim të kufirit me Serbinë.

“Shpreh ngushëllimet e mia për këtë ide të kufijve, pasi mendoj se ajo ka vdekur”, deklaroi Haradinaj.

Disa orë pas kësaj presidenti Thaçi thirri konferencë për medie, me ç’rast lëshoi një varg kritikash në drejtim të kreut të ekzekutivit.

“Dialogu nuk ka vdekur, përkundrazi është në një fazë të rëndësishme. Është deklaratë interesante edhe nga ana e kryeministrit. Kjo tregon që ai ose është në humor të mirë, ose është tepër komod në karrigen e vet. Por të them të drejtën unë kam pritur nga kryeministri që të jetë më racional dhe më i përgjegjshëm në deklaratat e tij lidhur me dialogun”, deklaroi ai.

Një kryeministër serioz, siç Thaçi u shpreh, nuk flet çdo ditë për “luftëra dhe tragjedi”.

“Kërkoj nga të gjithë, edhe nga kryeministri, një qasje shumë më të mençur dhe të shkathët në këtë proces. Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij për dialogun”, potencoi kreu i shtetit.

Me këtë rast, ai edhe e alarmoi kryeministrin se në një të ardhme të afërt mund edhe të largohet nga pozita e kryeministrit.

“Të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme dhe se presidentët e kryeministrat mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë të tjerë, e sidomos mund të ndërrohen shpejt ata që nuk korrigjohen”, vëri në pah Thaçi.

Pozita, e bindur që s’do të ketë zgjedhje

Teksa ka komentuar deklaratat e presidentit Thaçi, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se për t’u korrigjuar kryeministri Haradinaj fillimisht duhet të gabojë.

“Secili kryeministër për t’u korrigjuar duhet të gabojë. Korrigjohen ata që bëjnë gabime. Sa i përket dialogut e kemi thënë që jemi për të gjetur zgjidhje, por duhet unitet i të gjitha subjekteve, nuk flitet për interesin e asnjë subjekti politik. Flitet për interesin e vendit dhe në këtë rast askush nuk e ka të drejtën për të bërë gabime në dëm të vendit”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, vendi mund të shkojë në zgjedhje kur dëshiron koalicioni qeverisës ose opozita, porse jo presidenti i shtetit. Porse, aktualisht sipas saj, koalicioni është duke funksionuar siç duhet.

“Për çdo qeveri që bën gabime është e drejtë e opozitës që të thërrasë rrëzim të qeverisë. Ne jemi të gatshëm kurdo që shkohet në zgjedhje. Por tash jemi duke shkuar shumë mirë me partnerët e koalicionit”, ka potencuar ajo.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, është shprehur i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të reja këtë vit, porse nuk ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve po qe se nuk arrihet një konsensus mes partive.

“Momentalisht nuk ka agjendë për zgjedhje të përgjithshme, por nëse institucionet nuk mund ta arrijnë konsensusin që presin qytetarët, atëherë nuk përjashtohen zgjedhjet. Por megjithatë nuk shoh zgjedhje në vitin 2018”, ka thënë ai.

Sipas Beqës, koalicioni qeverisës momentalisht nuk është duke pasur probleme sa i përket funksionimit “Momentalisht është funksional koalicioni, por kjo nuk do të thotë që atëherë kur nuk funksionon të mos mundë të diskutohet edhe për çështje dhe për tema të reja. Por momentalisht nuk ka ndonjë arsye që të diskutohet për zgjedhje”, ka shtuar ai.

Opozita: Thaçi po e shantazhon Qeverinë

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar se rrëzimi i Qeverisë nuk duhet të vijë nga dëshira e presidentit Hashim Thaçi. “Nuk është hera e parë që PDK-ja vetë i rrëzon qeveritë për interesa të veta. Edhe në këtë moment Qeveria aktuale është në dorën e PDK-së, në të cilën presidenti i vendit ka shumë ndikim. Nuk i takon shumë presidentit që të merret me punën dhe me rrëzimin e Qeverisë. Kjo është një lloj shantazhi ndaj Qeverisë dhe ndaj të tjerëve për ta realizuar projektin e Serbisë, të cilin presidenti e ka përvetësuar si të veten”, është shprehur Kurteshi.

Ndonëse sipas tij ka mjaft arsye për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, zgjedhjet nuk mund të thirren si pasojë e mospranimit të idesë së korrigjimit të kufirit.

“Ka plot arsye që Qeveria të bjerë, por kjo për çka presidenti tanimë po e kërcënon nuk do të duhej të ishte arsyeja për të rënë Qeveria, ka plot arsye të tjera”, ka shtuar ai.

Cakolli: Thaçi deshi t’i tregojë Haradinajt se mund ta shkarkojë

Në anën tjetër teksa ka komentuar deklaratat e presidentit Thaçi Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se ato kanë të bëjnë me paralajmërim direkt për rrëzim të Qeverisë.

“Më tepër sesa deklarata, janë formë e shprehjes së një kundërshtie të thellë mes tij dhe kryeministrit Haradinaj, me anë të të cilave ai ka dashur t’i tregojë kryeministrit që ka mundësi ta shkarkojë atë nga pozita, kurdo që presidenti vlerëson që është e gatshme për zgjedhje ish-partia e tij. Kohët e fundit ai ka shpeshtuar mjaft shumë vizitat dhe takimet me zyrtarët e PDK-së”, ka theksuar ai.

Deri më tani sipas Cakollit përvojat tregojnë që koalicionet prishen për shkak të mungesës së pajtueshmërisë mes palëve.

“Në këtë rast, vlerësoj se një nga format e vetme për të dalë faqebardhë në një mënyrë para elektoratit të tyre është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, me pretekstin se nuk po arrihet marrëveshje për dialogun. Vlerësoj se ky ka qenë një mesazh i drejtpërdrejtë i presidentit, drejtuar kryeministrit, por edhe kabinetit qeveritar, i cili është në dorën e tij që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme”, ka nënvizuar ai.