“Lufta” mes Thaçit e Haradinajt

Aktuale October 09, 2018 - 11:23
DETAJET

 Sulmet verbale të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar kryeministrit, Ramush Haradinaj, erdhën menjëherë pasi ky i fundit, për të disatën herë me radhë, gjatë ditës së djeshme doli kryekëput kundër idesë së Thaçit për korrigjim të kufirit me Serbinë, raporton "Zëri".

“Shpreh ngushëllimet e mia për këtë ide të kufijve, pasi mendoj se ajo ka vdekur”, deklaroi Haradinaj.

Disa orë pas kësaj presidenti Thaçi thirri konferencë për medie, me ç’rast lëshoi një varg kritikash në drejtim të kreut të ekzekutivit.

“Dialogu nuk ka vdekur, përkundrazi është në një fazë të rëndësishme. Është deklaratë interesante edhe nga ana e kryeministrit. Kjo tregon që ai ose është në humor të mirë, ose është tepër komod në karrigen e vet. Por të them të drejtën unë kam pritur nga kryeministri që të jetë më racional dhe më i përgjegjshëm në deklaratat e tij lidhur me dialogun”, deklaroi ai.

LEXO EDHE: Thaçi kërcënon Haradinajn me zgjedhje

Një kryeministër serioz, siç Thaçi u shpreh, nuk flet çdo ditë për “luftëra dhe tragjedi”.

“Kërkoj nga të gjithë, edhe nga kryeministri, një qasje shumë më të mençur dhe të shkathët në këtë proces. Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij për dialogun”, potencoi kreu i shtetit.

Me këtë rast, ai edhe e alarmoi kryeministrin se në një të ardhme të afërt mund edhe të largohet nga pozita e kryeministrit.

“Të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme dhe se presidentët e kryeministrat mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë të tjerë, e sidomos mund të ndërrohen shpejt ata që nuk korrigjohen”, vëri në pah Thaçi. /ZERI