Haradinaj: Kush e ka njetin ta rrëzojë qeverinë, e rrëzon- nuk flet

Aktuale October 09, 2018 - 15:34
DETAJET

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e tij se tema për korrigjimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë është e vdekur. Këtë deklaratë Haradinaj e ka bërë në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës, raporton “Zëri.info”.

Haradinaj ka folur edhe për deklaratat e presidentit, Hashim Thaçi ndaj qëndrimeve të Haradinajt për temën e korrigjimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Thaçi dje në një mënyrë e ka paralajmëruar Haradinajn se nëse nuk i ‘korrigjon’ deklaratat e tij ai shpejt mund të korrigjohet.

LEXO EDHE: Haradinaj: Thaçi e ka takuar Radojçiqin në Prishtinë

Lidhur me këtë gjë Haradinaj ka thënë që ata që e kanë në plan ta rrezojnë qeverinë duhet ta bëjnë e jo vetëm të flasin.

“Kush e ka njetin ta rrëzojë qeverinë, e rrëzon- nuk flet. Ata që flasin, mos u mërzitni për ta.  Ai që ka vdekur nuk çohet më. Njëherë ka ndodhur, është ngjallur Krishti. Çështja e korrigjimit të kufijve, ndërrimit të territoreve, ka vdekur. E vetmja mënyrë për ta mbajtur gjallë këtë temë është përmes ndonjë skenari të dhunës në veri, të ndonjë incidenti, sulmi të ndërsjellë, në mënyrë që pastaj të konfirmohet ndarja”, ka thënë Haradinaj.

LEXO EDHE: Haradinaj nuk i bindet Thaçit, thotë se korrigjimi i kufijve ka vdekur

Tutje ai ka deklaruar se nuk do të lejojnë që të luhet edhe njëherë me kufijtë e Kosovës.

“Unë s’e kam me ta, e kam me temat, ju e dini çka kemi hekë si Kosovë ta korrigjojmë një marrëveshje të kufirit me Malin e Zi. Në fund një marrëveshje për korrigjim të marrëveshjes. Kuptohet që nuk do të lejoj në asnjë variant që historia të na përsëritet dhe që të luhet me territorin e këtij vendi. Nëse për të gjithë ju sado që unë mund ta kem mik presidentin, dikë në Kosovë e dikë në veri, shumë më burra të mirë kanë qenë vëllezërit e mi, Shkëlzeni e Luani dhe nuk do të lejoj që ajo që është e arritur e këtij populli të nëpërkëmbet prej ndokujt prej nesh. S’ka të bëjë me persona, por me tema jetike që janë në interes”, ka thënë Haradinaj. /ZËRI