Beteja e 'shefave' për kufijtë

Aktuale October 10, 2018 - 07:59
Lexo tjera detaje
Image

Ideja e shefit të shtetit, Hashim Thaçi, për “korrigjimin” e kufijve me Serbinë ka hapur një betejë me shefin e Qeverisë Ramush Haradinajn dhe atë të Kuvendit Kadri Veselin, të cilët po shprehen kundër prekjes së kufijve. Sipas analistëve, kjo përplasje ndërmjet krerëve institucionalë mund të përfundojë me rrëzimin e Qeverisë dhe me shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përpos që në asnjë rrethanë nuk po arrihet të krijohet një konsensus mes pushtetit e opozitës sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, një dakordim rreth kësaj çështjeje nuk po ia dalin ta gjejnë as shefat e tri institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës. Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli po vazhdojnë të mos kenë një qëndrim të unifikuar rreth fazës finale të negociatave me Serbinë, respektivisht rreth idesë për korrigjimin e kufirit Kosovë - Serbi. Madje ditët e fundit është shpërfaqur një konflikt i ashpër verbal në mes të shefit të shtetit dhe atij të Qeverisë. Përderisa presidenti Thaçi e ka kërcënuar me rrëzim të Qeverisë Haradinajn, po qe se nuk e mbështet idenë e korrigjimit të kufirit, ky i fundit i është kundërpërgjigjur Thaçit duke i thënë se kjo ide për ndryshim kufijsh tashmë ka vdekur. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kjo përplasje për kufijtë mund të bëhet shkas për rrëzimin e Qeverisë dhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

“Kërcënimi” i Thaçit dhe mosbindja e Haradinajt

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para dy ditësh kërkoi nga kryeministri Ramush Haradinaj që “t’i korrigjojë” deklaratat e tij, pasi ky kishte thënë se ideja për korrigjimin e kufijve ka vdekur. Thaçi madje paralajmëroi shefin e ekzekutivit se mund të shkojë nga pozita e kryeministrit po qe se nuk bindet në këtë drejtim.

“Të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme dhe se presidentët e kryeministrat mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë të tjerë, e sidomos mund të ndërrohen shpejt ata që nuk korrigjohen”, kishte theksuar Thaçi.

Por as ky paralajmërim i ashpër nuk e zmbrapsi Haradinajn. Përkundrazi, ai përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij mbi idenë e korrigjimit të kufijve. Në një kundërpërgjigje ndaj presidentit kryeministri tha se Qeveria nuk mund të rrëzohet me fjalë. 

“Kush e ka nijetin ta rrëzojë Qeverinë, e rrëzon, nuk flet. Ai që ka vdekur nuk çohet më. Një herë ka ndodhur, është ngjallur Krishti. Çështja e korrigjimit të kufijve, e ndërrimit të territoreve ka vdekur. E vetmja mënyrë për ta mbajtur gjallë këtë temë është përmes ndonjë skenari të dhunës në veri, të ndonjë incidenti, sulmi të ndërsjellë, në mënyrë që pastaj të konfirmohet ndarja”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë sipas Haradinajt, dialogu duhet të vazhdojë, në mënyrë që të ketë paqe dhe stabilitet në rajon. Porse ka thënë se nuk do të lejojë që të përsëritet historia në dëm të Kosovës.

“Nuk do të lejoj në asnjë variant që historia të na përsëritet dhe që të luhet me territorin e këtij vendi”, ka theksuar ai gjatë një konference të mbajtur të martën.

Opozita këmbëngul në zgjedhje të parakohshme

Pavarësisht këtyre përplasjeve në mes të presidentit e kryeministrit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ka konsideruar se ky debat më shumë ka të bëjë me problemet brenda vetë koalicionit qeverisës sesa midis udhëheqësve të institucioneve.

“Nuk e shoh vetëm një debat mes dy krerëve të institucioneve, por e shoh si debat mes partnerëve të koalicionit qeverisës, rrjedhimisht koalicioni qeverisës është në krizë”, ka deklaruar ai.

Andaj sipas Selimit, opsioni i vetëm për ta arritur një zgjidhje në tërë këtë situatë mbeten zgjedhjet e parakohshme.

“Për ta zgjidhur gjithë këtë problem edhe problemin me dialogun, edhe problemin në mes të partnerëve të koalicionit PAN zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet. Kështu, nuk i shoh shumë si çështje parimore problemet që i kanë Thaçi me Haradinajn, por si çështje të problemeve mes koalicionit qeverisës”, ka theksuar ai.  

Pos kësaj këto sulme verbale në mes të presidentit e kryeministrit sipas Selimit nuk po ndodhin vetëm për çështjen e kufijve. “Në fakt kjo përplasje nuk është vetëm për kufijtë. Ndoshta kufijtë shfrytëzohen si argument, por çështja qëndron te ndarja e pushtetit mes tyre”, është shprehur ai.

Ndërkaq nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka konsideruar se dialogu tashmë është duke u zhvilluar pa legjitimitet. “Po e shihni që shteti nuk mund të qeveriset në këtë formë. Po e shihni si po udhëhiqet edhe një dialog, i cili vërtet është jokompetent dhe ndoshta jolegjitim dhe sigurisht që institucionet legjitime duhet ta vazhdojnë dialogun”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Andaj sipas Rugovës, opozita do të vazhdojë të angazhohet për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Përshkallëzimi i raporteve ndërinstitucionale

Teksa ka folur mbi idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dukagjin Gorani, ka thënë se me anë të këtij opsioni presidenti i vendit ka vendosur që “ta përdorë zgjidhjen” më të rrezikshme.

“Me këtë presidenti aktual vendosi ta promovojë zgjidhjen më të thjeshtë dhe më të rrezikshme në historinë e problemeve etnike e politike në Ballkan - shkëmbimin territorial sipas logjikës etnike”, ka deklaruar ai.

Me anë të kësaj ideje sipas tij, Thaçi tashmë ka përshkallëzuar edhe marrëdhëniet me institucionet e tjera në këtë drejtim, respektivisht me Qeverinë e Kosovës. “Së fundi, në kundërshtim të kësaj u detyrua të dalë edhe koalicioni qeverisës dhe kryeministri Haradinaj, kësisoj duke i përshkallëzuar tutje raportet ndërinstitucionale deri në pikë të paralizës shtetërore dhe grindjeve personale”, ka shtuar deputeti i PSD-së.

Korrigjimi i kufijve mund ta çojë vendin në zgjedhje

Në anën tjetër, përplasjet mbi idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë sipas Arton Demhasajt, nga organizata joqeveritare “Çohu”, mund të çojnë edhe deri te rrëzimi i Qeverisë dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme. “Kemi parë disa tendenca kohët e fundit përmes kërcënimeve që kanë ndodhur nga ana e presidentit ndaj Qeverisë, i cili ka thënë se mund ta shkarkojë Qeverinë në njëfarë mënyre ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo mund të ndodhë dhe arsyeja mund të jetë dialogu, për shkak se deri më sot kemi parë që nuk kemi një konsensus të institucioneve kryesore: presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit”, ka deklaruar ai.

Përkundrazi, që të tre shefat e institucioneve kyçe të vendit, sipas tij, kanë ide të paharmonizuara sa i përket çështjes së dialogut dhe idesë së korrigjimit të kufirit me Serbinë. Andaj siç Demhasaj është shprehur, kjo ide mbi korrigjimin e kufirit është njëra prej arsyeve kryesore që e ka thyer koalicionin qeverisës. “Kjo në një formë mund të mbetet edhe çështja kryesore që mund ta shkatërrojë këtë koalicion dhe ta çojë vendin në zgjedhje, duke marrë parasysh edhe fuqinë e Thaçit që e ka në partinë e tij, në PDK, i cili mund të ndikojë që votat e PDK-së ta rrëzojnë Qeverinë, sikurse i kanë rrëzuar edhe qeveritë e kaluara”, ka potencuar ai./ZËRI