Mocioni, opozita po dështon qe 10 muaj

Aktuale October 13, 2018 - 08:06
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Partitë opozitare qe dhjetë muaj nuk po arrijnë t’i sigurojnë votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Për të kaluar mocioni opozitarëve u nevojiten edhe katër vota të deputetëve të koalicionit qeverisës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vetëm tre muaj pasi kryeministri Ramush Haradinaj kishte marrë detyrën si shef i Qeverisë së Kosovës, në dhjetor të vitit të shkuar, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishin nisur ta përmendnin ngritjen e mocionit për rrëzimin e ekzekutivit.

LEXO EDHE: Vazhdon të rritet numri i veteranëve, u shpenzuan mbi 57 milionë euro

Ndonëse tashmë kanë kaluar 10 muaj që nga atëherë, partia më e madhe opozitare nuk ka bërë ende asnjë hap konkret që do të çonte drejt rrëzimit të Qeverisë, rrjedhimisht çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Megjithatë, zyrtarë të këtij subjekti po vazhdojnë të zotohen se shumë shpejt do t’i japin fund Qeverisë aktuale.

Në anën tjetër, edhe pjesa tjetër e opozitës tashmë është deklaruar në mbështetje të një mocioni të mundshëm për rrëzimin e Qeverisë, porse problem në këtë drejtim po vazhdojnë të mbesin numrat.

Sipas matematikave të deritanishme, opozitës i nevojiten edhe katër deputetë për ta arritur shifrën 61, me anë të së cilës do të realizohej votimi i mocionit për rrëzim të Qeverisë.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se gjasat janë minimale që këtë vit të ketë zgjedhje të parakohshme nacionale.

LDK-ja vazhdon me zotimin për zgjedhje

Ndër të parët që kishte nisur të paralajmëronte rrëzimin e Qeverisë nga LDK-ja ishte nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Haziri. Ai në dhjetor të 2017-ës pati thënë për “Zërin” se ngritja e mocionit në drejtim të Qeverisë aktuale mbetet e pashmangshme.

Porse, ani pse deri më sot nuk ka pasur ndonjë rezultat mbi këtë çështje, deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka pohuar se LDK-ja është duke punuar intensivisht për rrëzimin e Qeverisë.

“Qëndrimi i LDK-së është i qartë, zgjedhje sa më parë që këtë Qeveri kaq të dëmshme ta dërgojmë në shtëpi sa më parë”, ka deklaruar ai.

Porse i pyetur nga gazeta “Zëri” se pse nuk po ndërmerret asnjë hap konkret që do të çonte drejt rrëzimit të Qeverisë, Rugova duke mos treguar ka thënë se LDK-ja është duke bërë përpjekje që ta përmbushë zotimin e dhënë.

“Jemi duke punuar intensivisht çdo ditë që këtë Qeveri minutë e më parë ta dërgojmë në shtëpi”, ka theksuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

LVV-ja pohon se nuk janë numrat për rrëzimin e Qeverisë 

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Xhelal Sveçla ka vlerësuar se në Kosovë aktualisht ka një bllokadë të thellë institucionale.

Sipas tij, pavarësisht se koalicioni qeverisës nuk i ka numrat e nevojshëm në Kuvend po vazhdon të mos ndalet së shkaktuari skandale.

Andaj, sipas tij, e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Por, sipas tij, as opozita nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta rrëzuar Qeverinë tash për tash.

“Qeveria nuk i ka numrat për të qeverisur. Por është evidente që as opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar këtë qeveri”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Porse Sveçla ka paralajmëruar se për rrëzimin e Qeverisë do të organizohen edhe protesta po që se nuk ka zgjidhje tjetër.

“Është obligim i Qeverisë që nëse nuk i përmbush detyrat të ofrojë një zgjidhje. Përndryshe, nëse e shohim se nuk ka gatishmëri do t’i drejtohemi qytetarit që edhe qytetari përmes protestave t’i kërkojë Qeverisë të ndryshojë qëndrim, rrjedhimisht të shkohet drejt zgjedhjeve të reja”, ka shtuar ai. 

Pozita, e sigurt se do të mbijetojë

Pavarësisht këtyre, deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj është shprehur i vendosur se koalicioni do të vazhdojë së funksionuari.

Sipas tij, opozita nuk i ka mundësitë për ta rrëzuar Qeverinë dhe për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Opozita në fakt nuk i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë. Kjo është e vërteta”, ka deklaruar ai.

Por, sipas Selmanajt, qasja aktuale e opozitës përbën një qasje aspak të duhur. Kjo pasi, siç ai është shprehur, edhe opozita duhet të kontribuojë në miratimin e ligjeve e të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Mendoj që e kanë gabim qasjen në këtë kohë, sepse do të ishte mirë të përkrahen disa ligje dhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat prodhojnë të mira për vendin. Më duket sikur më shumë kanë politikë të inateve”, është shprehur ai.

Gjasa minimale që të ketë zgjedhje këtë vit

Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, porse sipas tij gjasat që të ketë zgjedhje gjatë këtij viti janë minimale.

“Qeveria nuk po e ka shumicën e votave në Kuvend, por njëkohësisht as opozita nuk po e ka shumicën e votave për ta rrëzuar Qeverinë. LDK-ja ka marrë një iniciativë dhe ka mbledhur votat e nevojshme për ta proceduar rrëzimin e Qeverisë, por nuk po e procedon pa i pasur me shkrim 61 vota”, ka theksuar ai.

Tahiri më tej ka thënë se ekzistojnë disa arsye se pse nuk ka vullnet për rrëzim të Qeverisë.

“Së pari, deputetët që janë aktualisht nuk e kanë mandatin tjetër të sigurt. Ata caktohen nga struktura partiake dhe ata nuk po e dinë nëse do të hyjnë edhe një herë kandidatë për deputetë ose jo. Arsyeja tjetër është se partitë nuk i kanë rregulluar fraksionet e brendshme”, ka theksuar ai.

Pos këtyre, sipas tij, as bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron që të ketë zgjedhje në këtë kohë.

“Faktori ndërkombëtar nuk po do që të ketë zgjedhje, sepse i frikësohet destabilizimit dhe po do që të kryhet marrëveshja me Serbinë dhe ta shfrytëzojë këtë garniturë, që mund të bëjë kompromise të dhimbshme, siç po thuhet”, ka shtuar ai.  

Kurse sipas Arton Demhasajt, nga organizata joqeveritare “Çohu”, në rast se ekziston shumica në Kuvend për ta rrëzuar Qeverinë, atëherë automatikisht vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Porse, sipas tij, në rrethanat aktuale nuk duket që do të ketë organizim të zgjedhjeve të përgjithshme për shkak se disa tema të mëdha nacionale ende nuk janë përmbyllur.

“Por unë nuk shoh që ka zgjedhje në këtë periudhë të afërt, sidomos për çështjet si liberalizimi i vizave ose çështja e formimit të ushtrisë, ndoshta edhe e dialogut. Për këto arsye nuk mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme”, është shprehur ai.

Duke u nisur nga këto, sipas Demhasajt, zgjedhje nuk do të ketë deri në pranverën e vitit 2019.

“Edhe pse zhvillimet politike në Kosovë janë të papritura, në bazë të asaj që po shihet, nuk shoh që mund të ketë zgjedhje të paktën deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, ka potencuar ai.