Thaçi dhe Vuçiq sot 'projektojnë' marrëveshjen finale

Aktuale November 08, 2018 - 07:58
Lexo tjera detaje

Marigona Brahimi/Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot në kuadër të fazës finale të dialogut të Brukselit, ku pritet ta konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot do të takohet me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq për të konfirmuar gatishmërinë për intensifikimin e fazës finale të dialogut ndërmjet të dyja shteteve. Kjo është bërë e ditur nga Zyra e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini. “Në takim dy liderët pritet të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane”, thuhet në këtë njoftim.

Derisa Zyra e Presidentit të Kosovës nuk ka njoftuar nëse sot presidenti Thaçi do ta shpalosë idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, analistët politikë thonë se ka gjasa që edhe kjo temë të jetë pjesë e takimit. Në anën tjetër, partitë politike thonë se Thaçi nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës.  

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë se dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë. Pavarësisht mospajtimeve mes pushtetit dhe opozitës në lidhje me procesin e dialogut, Selamanaj ka thënë se ende ka hapësirë dhe vullnet të arrihet një konsensus dhe të ketë një rezolutë të përbashkët të të gjitha partive në lidhje me procesin e dialogut. “Dua të besoj që në dialog Kosova do të shkojë me konsensus, duke marrë përkrahjen e të gjitha partive dhe duke pasur një platformë të përbashkët, në të kundërtën ne jemi në situatë jo të favorshme”, ka thënë Selmanaj për gazetën “Zëri”.

Ai shtoi se Parlamenti do të duhej t’i vendosë qartë vijat e kuqe se çka mund të bisedohet e çka jo në dialog me Serbinë dhe po ashtu do të duhej të ketë platformën e tij për bisedime.

Selmanaj po ashtu ka thënë se askush nuk ka kompetenca të flasë për korrigjim të kufijve të Kosovës. “Askush nuk ka mandat të diskutojë për kufijtë, as Kushtetuta nuk ia jep askujt këtë të drejtë, as presidentit, as kryeministrit e asnjë politikani të negociojë për kufijtë e Kosovës”, shtoi Selmanaj.

Opozita: Askush nuk mund të diskutojë për kufijtë e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, ka thënë se Thaçi nuk ka të drejtë të marrë pjesë në takimin e sotëm me presidentin serb e aq më pak ta shtrojë si temë bisedimi çështjen e korrigjimit të kufijve, të cilën e quajti “Projekt të Serbisë”. “Kosova nuk është pronë private e askujt, prandaj askush dhe as presidenti nuk ka të drejtë që kokë më vete t’i përgjigjet ftesës së Vuçiqit dhe të bëhet argat i projektit të tij. Është e papranueshme të bisedohet për shkëmbim territoresh ose çfarëdolloj pazaresh në lidhje me territoret e Kosovës”, tha Kurteshi në një përgjigje për gazetën “Zëri”.

Kurteshi takimin e sotëm e cilësoi si takim ilegal, duke thënë se nuk është i autorizuar nga Kuvendi. “Për ne ky takim është ilegal, nuk është i autorizuar nga Kuvendi, nuk ka platformë dhe nuk ka asnjë delegacion që do të duhej të merrte pjesë në atë takim”, shtoi Kurteshi.

Kurse kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, ka thënë për gazetën “Zëri” se takimi i sotëm, si shumë të tjerë mes Thaçit dhe Vuçiqit, nuk mund të sjellë asgjë. Sipas saj, në këtë takim nuk mund të përfshihet tema e korrigjimit të kufijve nga presidenti i Kosovës, pasi që, siç tha ajo, “Hashim Thaçi nuk ka mandat ta bëjë një gjë të tillë”. 

Kusari tha se nuk e kupton e as nuk ka arsye se pse të mbahen këto takime, të cilat deri tash nuk kanë sjellë kurrfarë rezultati. “Duke qenë se ka pasur një udhërrëfyes të qartë nga këto takime të asaj se çfarë synohet të arrihet dhe në bazë të çfarë parimesh negociohet, nuk ka mundësi e as arsye pritjeje për rezultate konkrete”, tha Kusari për gazetën “Zëri”.

Mushkolaj: Sot mund të diskutohet korrigjimi i kufijve

Në një prononcim për gazetën “Zëri” analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se në këtë takim mund të përfshihet edhe tema e korrigjimit të kufijve, pavarësisht nëse do të pranohet publikisht nga të dyja palët se është biseduar për të. “Nuk besoj se do ta pranojnë se kanë biseduar për kufijtë, por nuk përjashtohet mundësia të flasin edhe për atë që po e quajnë korrigjim të kufijve”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Ai theksoi se korrigjimi i kufijve nuk duhet të diskutohet në bisedime pa u vendosur paraprakisht nga shteti i Kosovës që një temë e tillë të futet në dialog. “Çështja e demarkimit nuk duhet biseduar vetëm kështu ad-hoc. Presidenti Thaçi nuk duhet të diskutojë për çështjen e demarkimit të kufijve përpara se të vendoset nga Kosova si shtet që një gjë e tillë të hyjë në bisedime”, ka shtuar Mushkolaj./ZËRI