Thaçi: Dialogu me Serbinë, rrugë që kalon në shumë gjemba

Aktuale November 08, 2018 - 20:45
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se përballja me Serbinë është e vështirë.

“Ishte në përpjekje për të hapur rrugën e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Interesi i dy vendeve dhe popujve është që të arrihet marrëveshja paqësore që krijon hapësirën e perspektivës evropiane.  Mbetet të shihet në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat, por është e vështirë të përballemi me Serbinë. Është mirë që të gjithë politikanët në Kosovë të bashkohemi dhe të vijmë të gjithë e të ballafaqohemi këtu. Diskursi ishte i ashpër dhe arrogant nga ana e Serbisë ndërsa ai i ynë ishte i butë dhe i drejtë”, ka thënë ai.

Tutje Thaçi takimin e sontëm e ka konsideruar si një rrugë që kalon në shumë gjemba dhe në të njëjtën kohë ka potencuar që është optimist që një marrëveshje mes dy vendeve do bëhet në një të ardhme të afërt.

“Dialogu dhe marrëveshja janë alternative e vetme të cilat do të kalojnë në shumë gjemba por që në fund do të arrihet një marrëveshje. Dialogu dhe negociata nuk shkojnë as me ultimatum e as me zëra agresivë. Atë që dua të them e them me pozicionin e shtetit të Kosovës. Aspiratat janë për një marrëveshje ligjërisht obligative që do të mundësonte njohjen reciproke”, ka deklaruar tutje ai.

Thaçi ka konfirmuar që takimi i radhës mes dy vendeve do të zhvillohet shumë shpejtë, teksa ka shtuar që nuk është i planifikuar një takim i mundshëm në Paris.

“Takimi i ardhshëm do të mbahet shumë shpejt. Për në Paris nuk kemi ndonjë takim të planifikuar”. /ZËRI