Takim pa rezultate

Aktuale November 09, 2018 - 07:49
Lexo detajet!
Image

Takimi i katërt në kuadër të fazës finale të dialogut të Brukselit ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje. Madje diskursi brenda takimit ka qenë i ashpër, kurse pas takimit  protagonistët kanë thënë se marrëveshja përfundimtare është vështirë e arritshme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq të enjten kanë zhvilluar edhe një takim, të cilin e kanë vlerësuar jo të lehtë, në kuadër të fazës finale të dialogut të Brukselit.

Thaçi ka thënë se pala serbe kishte diskurs të ashpër e arrogant dhe se nuk është shumë optimist për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Në anën tjetër, Vuçiq ka thënë se nuk mund të ketë dialog nëse njëra palë tregohet e papërgjegjshme dhe kërcënon me dërgim të ushtrisë në veri të Ibrit, duke aluduar në deklaratën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, i cili ka thënë se një regjiment i ushtrisë së Kosovës në të ardhmen do të dërgohet në veri.

Vuçiq po ashtu ka kritikuar vendosjen e taksës 10% nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve nga Serbia e Bosnja.

Ai madje për këtë çështje e ka akuzuar edhe Bashkimin Evropian se po qëndron në anën e Kosovës.

BE-ja pret që Kosova e Serbia ta shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut

Zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, përmes një komunikate ka thënë se Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e raporteve ndërmjet tyre dhe perspektivës konkrete të aspiratave të tyre evropiane.

“Në diskutimet e saj me dy presidentët Federica Mogerini theksoi nevojën që Kosova dhe Serbia të sigurojnë një mjedis të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit. Ata diskutuan për hapat e nevojshëm në rrugën përpara dhe vendosën të mbesin në kontakt të vazhdueshëm në ditët në vijim”, thuhet në komunikatën e Zyrës së ndërmjetësueses Federica Mogherini, shkruan më tutje "Zëri". 

Thaçi: Pala serbe pati diskurs agresiv

Kurse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit ka thënë se kishte plot ballafaqime dhe nuk ishte takim aspak i lehtë.

“Janë tema aspak të lehta. Ishte takim i radhës i fazës finale të përmbylljes së këtij procesi jashtëzakonisht të vështirë, por interesi i të dyja vendeve është që të përmbyllet me një marrëveshje, e cila siguron njohje reciproke”, ka deklaruar Thaçi.

Më tej i pari i Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që t’i bashkohen atij në këtë proces të dialogut.

“Mbetet të shihet në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat, por mund të them se është sfidë jo e lehtë që të ballafaqohemi me gjithë këtë aparaturë të Serbisë këtu. Do të ishte mirë që i gjithë spektri politik në Kosovë të unifikohet dhe të vijë këtu e të ballafaqohemi. Është momentum, shans historik që të sigurohet njohja e Kosovës nga Serbia”, është shprehur ai.

Thaçi nuk është shprehur shumë optimist për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, megjithatë ka thënë se do të punojnë në atë drejtim. “Unë i kam rezervat e mia, e di se do të jetë vështirë dhe ka një mundësi të vogël për marrëveshje, por duhet të punojmë”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, diskursi i palës serbe në takimin e së enjtes ishte agresiv dhe arrogant, kurse delegacioni i Kosovës, sipas Thaçit, kishte diskurs të drejtë dhe të balancuar, që nënkupton njohjen reciproke dhe hapjen e rrugës për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga delegacioni i Serbisë, nga Aleskandar Vuçiq, ndërsa diskursi ynë ishte i drejtë në arritje të një marrëveshjeje të drejtë dhe të balancuar në mundësi reale të zëvendësimit të Rezolutës 1244”, ka shtuar Thaçi.

Vuçiq ankohet për ushtrinë e taksën ndaj produkteve serbe

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk ka dialog me Kosovën përderisa nuk tërhiqet taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës prej 10 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. “Serbia është e gatshme për dialog, por para saj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet - të mos kërcënojë serbët me dërgimin e ushtrisë në veri. Të mos vendosë tarifa të reja. Nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjerat?! Nuk janë në gjendje të formojnë Asociacionin, nuk mund ta respektojnë CEFTA-n, atëherë çka mund të respektojnë nga marrëveshjet e Brukselit”, ka deklaruar Vuçiq.

Kreu i shtetit serb më tej ka thënë se asnjëherë nuk ka folur për shkëmbim territoresh, mirëpo ka thënë se për të vazhduar dialogun Serbia duhet parë se çka fiton nga ky proces.

“Ne do të diskutojmë shumë gjëra dhe të shohim çka do të fitojë Serbia dhe pasi të shohim çka fiton Serbia, pastaj do të shohim. Nuk kam folur për shkëmbim të territoreve, unë nuk kam folur për këtë. Të respektohen marrëveshjet. Sapo të fillojnë t’i përmbushin obligimet që i kanë nënshkruar para 10 vjetëve dhe 5 vjetëve ne do të diskutojmë”, ka shtuar Vuçiq.ZERI