Thaçi: Ushtria është punë e kryer, askush në Serbi nuk mund të vendos veto

Aktuale November 10, 2018 - 15:14
Flet për ushtrinë Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se asnjë ndryshim i kufirit me Serbinë që vjen si rezultat i bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve nuk do të bëhet në bazë të vijave etnike.

“Ne do të punojmë së bashku për ta përcaktuar kufirin, njësoj siç kemi bërë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, por nuk do të ketë kufi të bazuar në vija etnike”, tha ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve “AFP”. “Kosova do të mbetet multietnike, njësoj edhe Serbia. Nuk do të ketë zhvendosje të popullsisë. Rajoni do të jetë më i sigurtë falë kësaj marrëveshjeje”, shtoi ai, vetëm një ditë pas takimit të tensionuar me presidentin e Serbisë në Bruksel.

Dy vendet ballkanike po mundohen që t’i normalizojnë marrëdhëniet me qëllim që t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shefja e Diplomacisë së BE-së, Mogherini, e ka bërë të qartë se vendet duhet ta arrijnë një marrëveshje detyruese lidhur me çështje të ndjeshme, siç është kufiri dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, të cilën Kosova e shpalli para dhjetë vitesh.

Gjatë verës së këtij viti, udhëheqësit e dy shteteve paraqitën mundësinë e ndryshimit të kufirit, gjë e cila alarmoi shumë njerëz. Kjo ide ka ngjallur frikën se tensionet etnike, të cilat shkaktuan luftë në vitet 90’, mund të ndizen sërish. Komentet e Thaçit për “AFP”-në lanë të kuptohet se nuk do të ketë shkëmbim të thjeshtë të territoreve, me ç’rast Kosova do ta merrte pjesën e banuar me shumicë shqiptare në Serbi, ndërsa Serbia do ta merrte pjesën e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

LEXO EDHE: Thaçi nga Parisi: Nuk do të ketë ndarje dhe as krijim të 'Republika Srpska-s' në Kosovë

Ndonëse bisedimet për normalizim të marrëdhënieve janë përcjellë me tensione dhe akuza, Thaçi mbetet mjaft optimist. “Takimi i fundit ishte i vështirë, por i rëndësishëm për fazën përfundimtare të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se është momentumi i duhur dhe udhëheqësia e duhur për arritje të marrëveshjes”, tha ai.

Thaçi tha se marrëveshja me Serbinë do t’i plotësonte shumë kërkesa të Kosovës, në mesin e të cilave edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, një marrëveshje detyruese dhe mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara, sepse Rusia do ta tërhiqte veton në Këshillin e Sigurimit.

Serbia ende nuk e ka njohur pavarësinë e krahinës së saj të dikurshme, ndonëse një gjë të tillë tashmë e kanë bërë më tepër se 110 shtete tjera. Aleati i Serbisë, Rusia, për vite të tëra e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Vendimi i Kosovës për ta krijuar ushtrinë e vet ka ngjallur zemërimin e Serbisë dhe të pakicës serbe në Kosovë. NATO-ja, e cila udhëheq forcat e KFOR-it, që janë përgjegjëse për sigurinë e Kosovës, poashtu ka shfaqur rezerva.

“Unë jam president i një vendi Sovran. Forcat e Armatosura të Kosovës do të krijohen. Kjo është një punë e kryer. Askush në Serbi nuk mund të vendosë veto në këtë, iu pëlqeu atyre ose jo. Është një ushtri e re, paqësore dhe multietnike, me një nivel prej 10% të përfaqësimit të pakicave. Çdo gjë që do ta ndërmarrim do të jetë kushtetuese dhe ligjore. Ky do të jetë një process i vazhdueshëm, i cili do të kryhet në bashkëpunim me partnerët tanë në NATO dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai ,shkruan “Radio Evropa e Lirë”