Kundërshtohet thirrja e Avdullah Hotit për shpërbërje të Kuvendit!

Aktuale November 14, 2018 - 17:31
Lexo tjera detaje

Deputetët e partive në pushtet edhe ata në opozitë nuk e kanë marrë me seriozitet, kërkesën e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti për shpërbërje të Kuvendit të Kosovës dhe shkuarje në zgjedhje të reja parlamentare.

Bekim Haxhiu, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së theksoi se nuk është koha e duhur që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ai kërkoi nga Hoti që të reflektojë mbi situatën e krijuar në vend karshi procesit të dialogut Kosovës – Serbi.

“Mendoj që Avdullah Hoti duhet të reflektojë në situatën në të cilën ndodhet vendi, se ai hallin e ka te LDK e jo tek partitë tjera. Ne si deputetë jemi duke e bërë punën tonë. Kuvendi po funksionon, sot kemi pasur mbledhje me Komisione Parlamentare, kemi pasur senaca. Avdullah Hoti duhet të reflektojë mbi kerkësen që i është bërë nga Kryetari Kadri Veseli, lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të mbahen zgjedhje ne Kosovë sa here që t’i teken dikujt. Kur t’i bën votat Avdullah Hoti, le të procedon ne Kuvend mocionin”, tha Haxhiu për “Gazeta Blic”.

Edhe shefi i GP të AAK-së Ahmet Isufi, është i mendimit që vendi ndodhet në një situatë të papërshtatshem për të shkuar në zgjedhej të reja nacionale, pasi që sipas tij, kanë mbetur pa përfunduar proceset me rëndësi për vendin, siç është krijimi i ushtrisë, anëtarësimi në INTERPOL dhe liberalizimi i vizave.

“Kosova ka shumë procese më të rëndësishme se sa nevojen për zgjedhje për shkak se kemi përpara vendimin për INTERPOL-in, për Ushtrinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, prandaj partitë politike duhet të mendojnë më shumë për këto procese sepse as ata nuk janë të gatshëm për të shkuar në zgjedhje.

Kuvendi është duke funksionuar, por po bojkotohet nga ana e opozitës”, ka deklaruar Isufi për “Gazeta Blic”.

E paralajmërimet e Listës Sebre se do të mbështesin një mocion për rrëzim të qeverisë “Haradinaj” pas taksës së vendosur ndaj produkteve serbe, për deputetin Isufi nuk janë aspak serioze. Sipas tij, Lista Serbe përmes kësaj forme po e shantazhon qeverinë.

“Lista Serbe ka disa herë që vepron në mënyrë të tillë duke u munduar të shantazhojë qeverinë, por nomralisht ata kanë obligim ndaj qytetarëve serbë që të jenë me të përgjegjshëm në qeveri dhe parlamentin e kosovës. Nuk janë serioze sepse nuk janë të gatshëm as ata që të shkojnë në zgjedhje”, tha ai.

Në anën tjetër deputeti opozitar Ilir Deda nga radhët e Alternativës refuzoi të deklarohet lidhur me kërkesën e shefit të GP të LDK-së për zgjedhje të reja, duke e cilësuar si veprim jo serioz të tij.

“Nuk është ftesë e vërtetë ajo, pasi që ai nuk ka dërguar ftesë partive politike me agjendë. Mocionin po e përmendin që shtatë muaj ditë, nuk kam çfarë të them për të”, tha Deda.

Lidhur me këtë çështje “Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të marrë opinonet edhe të deputetëve nga radhët e VV-së, PSD-së dhe NISMA-s por ata nuk janë lajmëruar në thirrjet e redaksisë.

Ndryshe, shefi i GP të LDK-së Avdullah Hoti, përmes faqes së tij zyrtare në “Facebook” sot tha se e udhës do të ishte që partitë politike të ulen së bashku për të shpërbërë Kuvendin.