Thaçi dhe Haradinaj ftohin raportet

Aktuale November 15, 2018 - 07:54
Lexo tjera detaje
Image

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj nuk po flasim më në superlativ për njëri-tjetrin. Shkak për këtë është bërë ideja e të parit të shtetit për korrigjim të kufijve me Serbinë, madje po shihet se raportet ndërmjet tyre janë ftohur dukshëm në këto ditë vjeshte, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dy liderët kryesorë të vendit, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë ftohur së fundmi raportet mes vete, të cilën gjë e kanë reflektuar edhe nëpërmjet deklaratave të tyre publike.

Mospajtimet mes tyre kanë të bëjnë me çështjen e dialogut me Serbinë, ku idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë e kundërshton ashpër shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Madje mediet kanë raportuar së fundmi edhe për një përplasje mes këtyre dy liderëve shtetërorë të martën mbrëma te rezidenca e shefit të diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli.

Si rrjedhojë e këtij mosdakordimi të thellë, para pak ditësh kreu i shtetit Hashim Thaçi bëri të ditur se rreth dialogut me Serbinë dhe takimeve të fundit që ka zhvilluar në Paris do ta informojë kryeparlamentarin Kadri Veseli, zëvendëskryeministrin Fatmir Limajn dhe ministrin e Punëve të Jashtme Behgjet Pacollin, porse nuk e lakoi fare edhe emrin e Ramush Haradinajt.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se ndërprerja e komunikimit mes shefit të shtetit dhe atij të Qeverisë paraqet një tregues të qartë se Kosova është duke kaluar nëpër një krizë të thellë institucionale. Një gjë e tillë, sipas tyre, ndikon negativisht edhe në rrafshin e politikës së jashtme. Ndërkohë, përfaqësuesit e partive opozitare konsiderojnë se qasja e dy krerëve institucionalë rreth procesit të negociatave me Serbinë është krejtësisht joserioze.

Qëndrimet joserioze të presidentit e të kryeministrit

Teksa ka folur rreth qëndrimeve krejtësisht të kundërta të krerëve institucionalë rreth procesit të dialogut, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku ka thënë për “Zërin” se qëndrimet e tilla të kryeministrit dhe të presidentit janë totalisht joserioze. Sipas saj, tërheqja e kryeministrit nga dialogu po ia mundëson presidentit që ta vazhdojë i papenguar rrugëtimin që ka nisur lidhur me këtë proces. Andaj, sipas saj, tërheqja e shefit të ekzekutivit nga procesi i negociatave nuk mund të tolerohet më tutje.

“Vendimi i kryeministrit dhe i Qeverisë karshi dialogut, ku plotësisht çështja e dialogut është lënë në duar të presidentit, pavarësisht faktit që nuk ka as kompetenca kushtetuese, as autorizim nga Kuvendi, është e patolerueshme”, ka theksuar ajo.

Rrjedhimisht sipas saj, çdo vazhdim i dialogut të Serbisë në formatin aktual i sjell vetëm dëme Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, pavarësisht pozicioneve krejtësisht të kundërta të presidentit Thaçi e të kryeministrit Haradinaj, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni, ka vlerësuar se urgjentisht duhet të arrihet një konsensus i brendshëm rreth procesit të negociatave me Serbinë. Kjo pasi, sipas tij, as presidenti, as kryeministri, as askush tjetër nuk mund ta finalizojë i vetëm këtë çështje.

“Unë insistoj dhe gjithnjë kam këmbëngulur që në Kosovë të ndërtohet një konsensus i gjerë i forcave kryesore politike, në mënyrë që dialogu me Serbinë të jetë i suksesshëm dhe në favor të Kosovës. Çdo gjë tjetër është e gabuar, sepse nuk mund ta përmbyllë dialogun me Serbinë një forcë e vetme politike ose presidenti vetëm, ose kryeministri vetëm, ose kushdo qoftë”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë Hyseni ka thënë se  në dialogun me Serbinë në asnjë rrethanë nuk duhet të diskutohet rreth statusit të Kosovës.

Krijimi i mureve të kontakteve mes Thaçit e Haradinajt

Në anën tjetër, teksa ka komentuar qëndrimet e fundit të Thaçit e të Haradinajt njohësi i çështjeve politike, Agron Halitaj, ka vlerësuar se ndërprerja e komunikimit mes presidentit dhe kryeministrit është tregues i qartë se Kosova po kalon nëpër një krizë institucionale.

“Në një kohë kur Kuvendi është thuajse jofunksional, krijimi i mureve të kontakteve mes dy liderëve kryesorë të shtetit vetëm sa e rëndon pozitën jo të favorshme në të cilën gjendet aktualisht Kosova si shtet”, ka deklaruar ai.

Kriza e brendshme politike sipas Halitajt pashmangshëm reflekton edhe në rrafshin e politikës së jashtme.

“Te shtetet gjegjëse tashmë ka filluar të krijohet një konfuzion rreth qëndrimit të Prishtinës zyrtare përkitazi me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Kosova nuk mund të pretendojë të marrë mbështetje të jashtme për sa kohë që liderët e saj nuk flasin me një zë”, ka theksuar ai.  

Andaj nëse Thaçi dhe Haradinaj nuk janë në gjendje t’i tejkalojnë inatet personale, siç ai është shprehur, ata duhet të hapin rrugë për gjetjen e formulave të reja udhëheqëse të shtetit. Në të kundërtën sipas Halitajt, sa më shumë që zgjat kjo gjendje, aq më tepër do të rëndohet pozita e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

LEXO EDHE: Liberalizim s’ka as sivjet

Kurse Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka konsideruar se prejse ka filluar faza finale e dialogut Kosovë - Serbi është parë qartazi se do të ketë mospajtueshmëri të mëdha mes presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit Ramush Haradinaj. Kjo pasi, sipas tij, qysh nga fillimi Haradinaj e ka kundërshtuar opsionin e shkëmbimit të territoreve ose korrigjimin e kufijve, përderisa Thaçi ende po vazhdon ta shtyjë përpara këtë ide, pavarësisht se nuk ka pasur dhe nuk ka përkrahje nga brenda. 

Një mosdakordim i tillë mes krerëve institucionalë rreth kësaj çështjeje sipas Cakollit nuk tregon aspak seriozitet as në aspektin e jashtëm. “Në planin e jashtëm kjo ka ndikuar që shtetet të mos e marrin Kosovën seriozisht, meqenëse kemi krerë institucionalë të cilët marrin qëndrime diametralisht të kundërta. Konflikti mes kryeministrit dhe presidentit ka shkuar deri në atë shkallë sa presidenti Thaçi e pati kërcënuar kryeministrin se ai nuk është i sigurt në karrigen e tij nëse nuk i tërheq deklaratat e tij”, ka theksuar Cakolli./ZËRI