“Personat e sëmurë të mos rrinë në Prishtinë, rrezikohen nga ajri i ndotur”

Aktuale November 15, 2018 - 12:55
Image

Me uljen e temperaturave  edhe këtë vit ndotja e ajrit në Prishtinë ka shënuar rritje të madhe, duke e radhitur kështu Kosovën ndër vendet e para të botës për ndotjen e ajrit, raporton "Zëri.info"

Niveli i lartë i ndotjes së ajrit ka shtuar numrin e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilëve u është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Pulmologu në Klinikën e Mushkërive në QKUK, Bahri Thaçi, ka thënë për “Zërin” se pritet që ditëve në vijim të ketë fluks edhe më të madh të pacientëve.

“Kemi pasur raste, është vërejtur menjëherë se është rritur numri i pacientëve, sidomos ata që janë me sëmundje kronike pulmonare. Ajri i ndotur po ndikon në përkeqësimin e pacientëve dhe në riaktivizimin e sëmundjeve. Është vetëm fillimi, kjo varet se sa i eksponohen ajrit të ndotur, pra se sa gjatë po i eksponohen atij. Ditëve në vijim presim të ketë fluks edhe më të madh të pacientëve”, ka thënë ai.

Sipas tij në momentin që pacientët, të cilët tashmë janë të prekur me ndonjë sëmundje, u ekspozohen ajrit të ndotur, atëherë edhe gjendja e tyre përkeqësohet.

“Me një kujdes të madh, me paraqitjen me kohë te mjeku nuk paraqet ndonjë rrezik për jetë, por shëndetin realisht e përkeqëson sepse këta pacientë jetojnë të varur nga barnat, por kur e marrin terapinë me rregull sëmundja futet nën kontroll dhe nuk krijon shqetësime të mëdha, por kur i eksponohen ajrit të ndotur, atëherë ata përkeqësohen dhe duhet t’u shtohet doza e këtyre barnave dhe duhet t’i shtohet edhe ndonjë bari”, ka theksuar ai.

Thaçi e ka konsideruar të nevojshme që personat të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike të mos rrinë në Prishtinë derisa niveli i ajrit të ndotur është i lartë. “Kryesisht ajri i ndotur është në Prishtinë. Ata që kanë sëmundje kronike dhe kanë mundësi të ndërrojnë vendbanimin, mënyra më e mirë është që të largohen prej këtyre grimcave të cilat janë në ajër dhe që pa dëshirën e tyre janë të detyruar t’i thithin ato”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Antigona Ukëhaxhaj, udhëheqëse e qendrës së ajrit në Institutin e Kosovës për Shëndetin Publikë, ka thënë ditë më parë për “Zëri.info” se deri tani nuk janë marrë masa adekuate sa i përket përmirësimit të nivelit të ajrit.

Sipas saj, për shkak të nivelit të lartë të ajrit të ndotur, ka pasur edhe rritje të numrit të pacientëve në mjekësit familjare dhe klinikat e pediatrisë dhe kardiologjisë./Zëri/