Përplasjet Thaçi - Haradinaj çojnë në zgjedhje

Aktuale November 16, 2018 - 07:46
Thaçi dhe Haradinaj kanë ftohur raportet mes veti
Image

Analistët politikë vlerësojnë se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare pikërisht për shkak të mospajtimeve mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj për çështjen e korrigjimit të kufijve. Sipas tyre, zgjedhjet janë opsion real për vitin tjetër, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përplasjet e fundit mes dy liderëve kryesorë të shtetit, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, lidhur me idenë e kreut të vendit për “korrigjim të kufijve” me Serbinë mund ta çojnë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

LEXO EDHE: Thaçi dhe Haradinaj ftohin raportet

Kështu vlerësojnë analistët politikë, sipas së cilëve zgjedhjet ka gjasë të mbahen vitin tjetër, shkruan tutje gazeta "Zëri". 

 “Kemi një kryeministër i cili nuk është përfshirë fare në çështjen e dialogut me Serbinë, kemi një kryetar të shtetit i cili në mënyrë intensive e shtyn idenë e tij për korrigjim kufijsh me Serbinë dhe kemi një koalicion që udhëhiqet nga partia e pestë për nga numri i deputetëve në Kuvend, ku secili partner i koalicionit është një qeveri në vete, duke pasur edhe qëndrime e veprime të kundërta”, ka theksuar për gazetën “Zëri” Rasim Alija, hulumtues në institutin “D4D”.

Sipas tij, ky polarizim e çon vendin në zgjedhje, por jo gjatë këtij viti. “Këtë vit nuk pritet të ketë zgjedhje, pasi që ekzistojnë afatet kohore se kur dhe si të mbahen zgjedhjet.

Për më tepër e kemi edhe një KQZ jofunksionale, pasi që ende nuk janë emëruar të gjithë anëtarët e KQZ-së në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, ka pohuar Alija.

Ndërsa politologu Behlul Beqaj thotë për “Zërin” se zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin vetëm nëse presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, siç ka thënë ai, përfitojnë nga një proces i tillë.

“Nëse presidenti Thaçi vlerëson se pozita e tij në vendimmarrje absolutizohet pas zgjedhjeve dhe shpëton nga Gjykata Speciale, ai ka aq ndikim në disa deputetë të PDK-së për ta çuar vendin në zgjedhje. Ndërsa sikur kryeministri Haradinaj të vlerësojë se pas zgjedhjeve do të ketë mbështetjen edhe më të madhe se që aktualisht e ka ai nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet”, ka thënë më tutje Beqaj.


Duke folur për deklaratat kundërthënëse të të dy liderëve Beqaj ka thënë që pikërisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet shkaktar për zgjedhje.

“Qasjet kundërthënëse karshi dialogut janë karremi kryesor zgjedhor. Besoj se në këtë betejë mund të përfitojë më shumë kryeministri Ramush Haradinaj, me kusht që të shkojë deri në fund të mbrojtjes së vlerësimit se ideja e korrigjimit të kufirit “është e vdekur”. Por, unë shumë dyshoj se ai do të mbetet besnik ndaj këtij vlerësimi, kështu që pas kësaj beteje luftën do ta fitojë Thaçi, nëse paraprakisht krijon mbështetjen e duhur ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Beqa: S’ka zgjedhje, koalicioni është funksional

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka thënë për “Zërin” që kërkesa e partive opozitare për zgjedhje nuk është serioze, ndërkohë ka deklaruar se koalicioni qeverisës është funksional.

“Subjektet opozitare kanë shumë probleme të brendshme dhe po mundohen që ato t’i bëjnë si kauza nacionale që ta rrisin funksionin e partive të tyre. Për momentin koalicioni po funksionon dhe nuk shihen sinjale që do të ketë zgjedhje këtë vit. Mendoj që na presin shumë punë të tjera dhe angazhime të përbashkëta drejt integrimit të vendit dhe zhvillimet në proceset tjera”, ka thënë ai.


Beqa ka thënë që përderisa koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm nuk mund të flitet për zgjedhje.

“Si deputet unë besoj që koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm dhe nuk është në pikën që mund të flitet për zgjedhje. Si PDK vlerësojmë se nuk është interes i vendit të shkojmë në zgjedhje, as nuk janë zgjidhje zgjedhjet”, ka theksuar ai.
Megjithatë, ai ka deklaruar se partia e tij nuk frikësohet nga zgjedhjet, madje siç ka thënë ai edhe nëse do të ndodhnin zgjedhjet PDK-ja do të dilte partia e parë në vend.

Hoti: Zgjedhjet, e vetmja zgjidhje


Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë për “Zërin” që sa më parë që vendi shkon në zgjedhje, aq më mirë është për vendin. “Kosova duhet të lirohet nga kjo qeverisje e dëmshme, që po e mbyt perspektivën e shtetit të Kosovës. Vendimet joligjore të Qeverisë po kushtojnë miliona të taksave të qytetarëve. E gjithë Qeveria dhe institucionet tjera të ndërlidhura me të janë shndërruar në mekanizëm në shërbim të interesave të partive në pushtet. Debati për arsim e shëndetësi më të mirë, për reforma në ekonomi e për rritje të punësimit është jashtë fokusit të Qeverisë”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, ai ka theksuar se agjenda e liderëve shtetërorë është antikushtetuese dhe po e dëmton rëndë shtetin e Kosovës.

“Agjendat individuale të bartësve të institucioneve, të cilët po veprojnë jashtë kompetencave të tyre kushtetuese, janë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Kosova duhet të lirohet sa më parë nga këta persona. Zgjedhjet e reja janë e vetmja zgjidhje”, ka deklaruar ai. /ZERI