Ramadani: Çështja e ushtrisë përmbyllet gjatë këtij viti

Aktuale November 16, 2018 - 09:55
Detajet

Tri projektligjet që mundësojnë transformimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision ushtarak ende nuk janë shqyrtuar nga komisionet parlamentare për t'u proceduar në seancë plenare. Pas votimit në lexim të parë të këtyre projektligjeve kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se miratimi i tyre do të ndodhë pas 20 nëntorit. Por shqyrtimi i projektligjeve për ushtrinë ka ngecur në komisione, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në anën tjetër zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri tashmë e ka mbështetjen e të gjitha shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Është një mbështetje gjithëpërfshirëse, respektivisht shtetet që e njohin Kosovën e mbështesin tranzicionin legjitim dhe gradual të FSK-së. Është një koordinim jashtëzakonisht i detajuar, një mbështetje jashtëzakonisht e fuqishme për tranzicionin legjitim dhe gradual të FSK-së. Si i tillë, ky proces vazhdon me saktësi dhe pa asnjë problem”, ka nënvizuar Ramadani. 

Ai më tej është shprehur i vendosur se transformimi i FSK-së në ushtri do të finalizohet përgjatë vitit 2018.

LEXO EDHE: Ngecja me ushtrinë

“Besoj që kjo është çështje e cila do të përmbyllet sivjet, sipas procedurës së rregullt parlamentare, sepse ne si Qeveri nuk kemi kërkuar procedurë urgjente parlamentare, sepse kjo çështje meriton debatin profesional të deputetëve të të gjitha subjekteve politike, pastaj siç kemi parë ka pasur angazhim edhe me dëgjimet publike, qoftë në Prizren, qoftë në Graçanicë. Në përgjithësi pres që leximi i dytë, respektivisht përmbyllja dhe hyrja në fuqi e këtyre ligjeve të ndodhë gjatë këtij viti”, ka theksuar ai. 

Kurse njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri ka thënë se pakoja e projektligjeve për transformimin e FSK-së do të votohet njëzëri edhe në leximin e dytë sikurse kishte ndodhur në leximin e parë gjatë muajit të kaluar. Por sipas Tahirit, transformimi i FSK-së në ushtri merr kohë deri në 10 vjet. Sipas tij, përgjatë kësaj kohe ka mundësi që edhe Kushtetuta e Kosovës të ndryshohet dhe aty të përfshihet edhe çështja e ndryshimit të emrit të ushtrisë.

Por aktualisht, siç ai është shprehur,  është vendosur që  transformimi i FSK-së të bëhet me ndryshime ligjore. Përmes ndryshimeve ligjore FSK-së vetëm i avancon misioni, porse emri nuk i ndryshon, i mbetet po ai i njëjti që ka aktualisht. Porse me kalimin e viteve, sipas Tahirit, FSK-ja do të shndërrohet përfundimisht në ushtri, pa i prishur fare marrëdhëniet me NATO-n.  /ZERI