Qeveria deklarohet për mundësinë e negociimit për taksën me Bosnjën

Aktuale January 17, 2019 - 13:56
Lexoni detajet

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se Kosova i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Bosnje Hercegovinës për takim në kuadër të Cefta-s, në lidhje me tarifën ndaj mallrave të Bosnjës dhe Serbisë.

Mirëpo Gashi tha se “këto negociata nuk kanë të bëjnë me heqjen e kësaj mase”.

“Bosnje dhe Hercegovina ka paraqitur kërkesë për një takim mbi çështjet bilaterale në kuadër të CEFTA-s. Kosova i është përgjigjur në mënyrë pozitive dhe me gjasë ministri i Tregtisë së Kosovës do të marrë pjesë në një takim në Bosnje javën e ardhshme. Ne do t’i dëgjojmë kërkesat e tyre, por gjithashtu do të mbrojmë qëndrimet dhe parimet e tona. Pra, nuk ka të bëjë me negociatat për këtë çështje, por Kosova do të mbrojë pozitën e saj dhe parimet përse imponoi një tarifë të tillë. Kosova është e detyruar të respektojë këtë formë të komunikimit brenda CEFTA-s ” tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës, Mirko Saroviq konfirmoi se pala kosovare, me kërkesë të Bosnjës ka pranuar negociatat bilaterale për heqjen e tarifës prej 100 përqind të mallrave nga Bosnja. Ai theksoi se janë duke u përgatitur në nivelin e ekspertëve për të arritur një zgjidhje adekuate, por theksoi se nuk mund të parashikojë rezultatin.

Sipas informacioneve të deritashme takimi ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës në kuadër të CEFTA-s, do të realizohet në fund të muajit janar.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë disa herë se tarifa do të hiqet vetëm nëse Bosnja dhe Serbia do ta njohin Kosovën.