Thaçi harron Luginën

Aktuale January 18, 2019 - 08:10
Lexoni detajet
Image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vitit të kaluar kishte dhënë idenë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, siç thoshte, në kuadër të korrigjimit të kufirit me Serbinë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Madje për pak muaj ai kishte mbajtur rreth dhjetë konferenca për medie për këtë çështje, ku i ftonte në Prishtinë edhe përfaqësuesit politikë të Luginës.
Një iniciativë e tillë e Thaçit në Kosovë komentohej si tendencë për ndarjen e Kosovës, përkatësisht shkëmbimin e territoreve, ku komunat veriore do t’i jepeshin Serbisë, ndërsa disa fshatra të Luginës do të bashkoheshin me Kosovën.

LEXO EDHE: Kompromis për taksën

Por, për gati një muaj presidenti Hashim Thaçi as që e ka përmendur çështjen e bashkimit të Luginës dhe ka kohë që nuk i ka takuar as politikanët e asaj treve me shumicë shqiptare.

Për çështjen e bashkimit të Luginës me Kosovën gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje edhe zyrës për media të presidentit Hashim Thaçi, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Kamberi: Ende shpresojmë në idenë e Thaçit

Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se ende shpresojnë në idenë e presidentit Thaçi për Bashkimin e Luginës me Kosovën.

“Nuk besoj që presidenti e ka lënë pas dore çështjen e Luginës, në takimet që kemi pasur në muajt e fundit të vitit të kaluar ka qenë shumë i angazhuar dhe drejtpërdrejt ka deklaruar që Lugina e Preshevës duhet të jetë temë e bisedimeve dhe besoj që do t’u qëndrojë prapa këtyre premtimeve”, ka thënë Kamberi.

Megjithatë, Kamberi ka deklaruar se nuk kanë pasur së fundmi ndonjë takim me presidentin Thaçi, siç ndodhte gjatë kohës kur ai e kishte paraqitur këtë ide, përkatësisht në verën e vitit të kaluar. Kamberi thotë se i kanë dërguar kërkesë me shkrim edhe presidentit, edhe kryeministrit Ramush Haradinaj, por edhe ekipit negociator që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë.

“Muajt e fundit nuk kemi pasur kurrfarë kontakti me presidentin, por kërkesa jonë i është drejtuar edhe atij, edhe kryeministrit, por edhe delegacionit aktual që Lugina  e Preshevës të përfshihet si temë e bisedimeve në cilëndo formë që Kosova mendon që është më mirë”, u shpreh Kamberi.

LDK: Heshtja e Thaçit mund të vijë me plan tjetër në dëm të Kosovës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, në një prononcim për “Zërin” theksoi se heshtja e presidentit kohëve të fundit për çështjen e Luginës mund të sjellë një plan tjetër në dëm të vendit, për të cilin duhet të jemi më vigjilentë.

“Disa muaj të tërë presidenti na pati terrorizuar me deklaratat e tij, ndërsa tash është në heshtje totale e që unë mendoj që prapë ne duhet të kemi shumë vigjilencë, sepse nuk e dimë se çka po përgatit dhe çka po punohet, duke u bazuar në atë se nuk ka fare transparencë e as informatë se çka po flitet e as nga po shkon procesi i dialogut edhe me ekipin e ri”, deklaroi Gaxherri.

Gaxherri thotë se që prej fillimit të shpërfaqjes së idesë së presidentit për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën ka qenë një lojë e tij me shqiptarët, veçanërisht me ata të Kosovës Lindore.

“Prej fillimit të deklarimeve të tij për çështjen e bashkimit të Luginës me Kosovën është parë që është një lojë, është parë që nuk është seriozitet, është parë që ai e ka filluar një proces me të cilin ka qenë i paqartë në aspektin kushtetues dhe nuk e di askush qëllimin e tij, por e dimë që gjërat të cilat ai i ka hapur i kanë bërë shumë dëm Kosovës”, u shpreh Gaxherri.

Ajo konsideron se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe nuk duhet të tolerohen idetë për shkëmbim ose korrigjim, të cilat mund ta cenojnë integritetin e Kosovës.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, është shprehur për “Zërin” se është e papranueshme ideja për korrigjim të kufijve, meqë Kosova është shpallur shtet me këta kufij. Ai shtoi se një ide e tillë nuk do të përfshihet në dialogun me Serbinë pasi, siç thotë ai, askush nuk ka të drejtë të negociojë për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Haxholli: Thaçi mund ta shpërfaqë idenë posa të fillojë dialogu

Analistja politike nga Instituti Demokratik i Kosovës, Violeta Haxholli, ka thënë për “Zërin” se arsyeja pse presidenti Thaçi së fundmi nuk ka folur për iniciativën e tij për korrigjim të kufijve është për shkak të pezullimit të dialogut dhe se përderisa ky i fundit nuk do të fillojë as presidenti nuk do të deklarohet për këtë çështje. Mirëpo Haxholli thotë se kjo çështje ende nuk është mbyllur dhe se mund të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Në instanca të ndryshme qoftë brenda vendit, por edhe jashtë tij po flitet se ideja e korrigjimit të kufijve ende nuk është mbyllur, domethënë qëndron si një opsion për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pra kjo ide nuk mund të themi se është përmbyllur, mendoj se ende vazhdon të diskutohet dhe të shqyrtohet si njëra nga temat për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe edhe si pjesë e marrëveshjes potenciale finale që do të dalë nga ky proces”, pohoi Haxholli.

Edhe njohësi politik Mazllum Baraliu thotë për “Zërin”se vlerëson që rrethanat aktuale politike e kanë shtyrë presidentin Thaçi të mos e përmendë më këtë çështje, për të cilën ai thotë se duhet dakordim i tërë spektrit politik nëse duhet të diskutohet./ZERI