S’ka buxhet për rritje të pagave, grevat vazhdojnë

Aktuale January 18, 2019 - 08:21
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Derisa mësimdhënësit dhe personeli mjekësor janë në grevë me kërkesë të rritjes së pagave, një rritje e tillë vlerësohet se nuk është e mundur pasi buxheti i Kosovës nuk i përballon kërkesat e grevistëve. Ndërkohë në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës (SBASHK) thonë se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre për rritje të koeficientit të pagave prej 30 për qind. Kurse grevës së kirurgëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i janë bashkangjitur edhe ortopedët në QKUK dhe mjekët e Spitalit të Ferizajt, shkruan sot gazeta "Zëri".

Anëtarja e Komisionit për Administratë Publike, Xhevahire Izmaku, ka thënë për “Zërin” se në javën e ardhshme do të mblidhet ky Komision për të shqyrtuar projektligjin për paga e me të cilin nuk janë të kënaqur mësimdhënësit. Sipas saj, procedurat për miratimin e këtij projektligji do të zgjasin së paku një muaj.

LEXO EDHE: Kompromis për taksën

“Tek pas ditës së hënë duhet të mblidhet Komisioni dhe të punojë. Pas ditës së hënë, kur caktohet seanca, atëherë koordinohen grupet parlamentare deri në votim. Është një punë shumë e madhe që duhet të bëhet. Unë mendoj se duhet së paku edhe një muaj që të punohet vetëm në mënyrë procedurale”, ka deklaruar ajo.

Izmaku ka thënë se për mësimdhënësit ende nuk u ka ardhur ndonjë vendim për rritje të pagave. “Për personelin mjekësor ka një vendim dhe ka një rritje, për arsimin ende nuk ka ardhur një vendim”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë për “Zërin” se në buxhetin e Kosovës për vitin 2019 nuk janë paraparë mjete për projektligjin e pagave.

“Është shumë hipokrizi mënyra se si po sillet Qeveria dhe bashkëpunëtorët e koalicionit qeverisës. Në projektligjin e buxhetit të vitit 2019, i cili pritet të votohet në Komisionin për Buxhet të hënën e ardhshme, nuk janë paraparë mjetet për projektligjin e pagave në fazën aktuale si është”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nuk parashihet zgjidhje e problemeve, andaj kjo situatë vetëm do ta zgjasë grevën e mësimdhënësve.

“Sipas ministrit të Financave, në formën e thjeshtë pa rritjet e kërkuara në sektorin e shëndetësisë projektligji ka koston 90 milionë euro dhe buxheti i vitit 2019 nuk ka asnjë mjet të dedikuar për projektligjin për pagat, andaj është një situatë shumë e komplikuar e cila e zgjat grevën e mësimdhënësve dhe nuk parasheh zgjidhje reale të problemeve, të cilat janë paraqitur gjatë kësaj kohe”, ka thënë ajo.

Vendimet e Qeverisë për rritje të pagave po degradojnë buxhetin e Kosovës

Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, ka thënë për “Zërin” se anëtarët e këtij Komisioni ende nuk kanë pasur qasje në draftin e pagave, pasi ai ende është për shqyrtim në Komisionin për Administratë Publike. Ai ka thënë se vendimet e Qeverisë për rritje të pagave për disa institucione janë duke e degraduar buxhetin e shtetit.

“Edhe punëtorët e arsimit, edhe punëtorët shëndetësorë me plot të drejtë kërkojnë rritjen e pagave me pretekstin e asaj se Qeveria dhe kryeministri kanë ngritur paga gjatë vitit 2018 për institucione të caktuara, si Prokuroria. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e precizon qartë se paga mund të rritet vetëm atëherë kur të rritet edhe brutoprodukti shoqëror. Varësisht prej rritjes së brutoproduktit shoqëror merret vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave qoftë 3.5 ose 4. Është duke u degraduar buxheti me vendimet e Qeverisë”, ka thënë ai.

Sipas Osmanit, buxheti i vendit nuk duhet të harxhohet vetëm për paga.

“Qeveria ka ndërhyrë dhe e ka shkelur Ligjin për Menaxhim të Financave Publike dhe i ka rritur pagat e ka ndarë mjete me vendime të Qeverisë për sektorë të veçanta, atëherë e arsyetoj kërkesën e arsimtarëve dhe të personelit të shëndetësisë, pavarësisht se a mundet buxheti ta përballojë atë ose jo. Qeveria është dashur ta dijë se nuk mundet buxheti të shpenzohet vetëm për shpenzime rrjedhëse, nuk mundet të harxhohet një buxhet vetëm për paga”, ka shtuar ai.

Masivizohet greva e mjekëve

Grevës së kirurgëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i janë bashkangjitur edhe ortopedët në QKUK dhe mjekët e Spitalit të Ferizajt. Kështu ka bërë të ditur Arbër Morina, përfaqësues i Kolegjiumit të Kirurgëve.

“Sot është dita e 24-t e grevës dhe greva vazhdon siç ka vazhduar deri më sot. Klinika e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është bashkëngjitur në grevë së bashku me Spitalin e Ferizajt. Presim edhe solidarizim prej klinikave tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij, vetëm rastet elektive që nuk janë jetëkërcënuese për pacientët nuk do të trajtohen, ndërsa rasteve emergjente do të vazhdojnë t’u japin shërbimet mjekësore.

Morina ka treguar se gjatë grevës ata kanë pasur edhe presione nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, për ndaljen e saj.

“Presionet janë të vazhdueshme. Konkretisht nuk kemi pasur diçka me shkrim. Ministri ka qenë gjatë gjithë kohës në takime personale në QKUK. Vetëm prezenca e tij në mbledhime të ndryshme e tendenca për t’i bindur grevistët konsiderohet një lloj presioni. Për faktin se ata e kanë kuptuar që ne jemi të vendosur, nuk po vazhdojnë me të njëjtin ritëm, ne konsiderojmë që ata e kanë kuptuar se sa seriozë jemi ne”, ka shtuar ai.

Mësimdhënësit vazhdojnë grevën, shërbyesit publikë të hënën hyjnë në grevë

Sot është dita e pestë qëkur mësimdhënësit kanë hyrë në grevë të përgjithshme. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë ditë më parë për “Zërin” se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre për rritje të koeficientit të pagave prej 30 për qind. Mirëpo grevën e mësimdhënësve nuk e kanë përkrahur drejtorët e arsimit në Kosovë.

Jonuz Salihaj, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë për gazetën “Zëri” se edhe gjatë ditës së djeshme institucionet publike të arsimit në këtë komunë kanë qenë në grevë. Sipas tij, greva duhet të ndalet pasi vazhdimi i saj do të lërë pasoja në cilësinë e arsimit.

“Greva duhet të ndalet nga Qeveria e Kosovës dhe nga SBASHK-u me një zgjidhje kompromisi, përndryshe pasojat do të jenë të paparashikueshme për cilësinë e arsimit”, ka thënë ai.

Përveç mësimdhënësve, të hënën me kërkesën për rritje të pagave pritet të hyjnë në grevë edhe shërbyesit civilë në Qeveri./ZERI