Mësimdhënësit vazhdojnë grevën, shërbyesit publikë të hënën hyjnë në grevë

Aktuale January 18, 2019 - 12:13
Lexoni detajet

Sot është dita e pestë qëkur mësimdhënësit kanë hyrë në grevë të përgjithshme. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë ditë më parë për “Zërin” se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre për rritje të koeficientit të pagave prej 30 për qind. Mirëpo grevën e mësimdhënësve nuk e kanë përkrahur drejtorët e arsimit në Kosovë.

Jonuz Salihaj, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë për gazetën “Zëri” se edhe gjatë ditës së djeshme institucionet publike të arsimit në këtë komunë kanë qenë në grevë. Sipas tij, greva duhet të ndalet pasi vazhdimi i saj do të lërë pasoja në cilësinë e arsimit.

LEXO EDHE: S’ka buxhet për rritje të pagave, grevat vazhdojnë

“Greva duhet të ndalet nga Qeveria e Kosovës dhe nga SBASHK-u me një zgjidhje kompromisi, përndryshe pasojat do të jenë të paparashikueshme për cilësinë e arsimit”, ka thënë ai.

Përveç mësimdhënësve, të hënën me kërkesën për rritje të pagave pritet të hyjnë në grevë edhe shërbyesit civilë në Qeveri. /ZERI